Belingham sqaron situatën në brendësi të Realit, Deko konfirmon ardhjen e Kancelos te Barcelona

0
25

Adriatik BALLA

Në Spanjë dy klube bëjnë diferencë dhe ata janë Reali i Madridit dhe Barcelona. “Los Blancos” dhe “Blaugrana”-t kanë pritshmëri të larta edhe këtë sezon dhe të dy kampet kanë ëndërr titullin kampion në Spanjë, si dhe trofeun e UEFA Champions League. Në kampionat për momentin më mirë është Barcelona,q ë ndodhet në vend të parë, por diferenca me pikë është e vogël dhe gara për titullin mbetet e hapur. Ndërkohë, trazirat që shkaktoi sulmuesi brazilian Vinicius janë shuar dhe situata në radhët e madrilenëve paraqitet më e mirë.

Kështu, Xhud Belingham ka mohuar raportimet për tensione në dhomën e zhveshjes te Real Madrid, duke thënë se lojtarët janë 100% pas trajnerit Ksabi Alonso. Ai gjithashtu mbrojti shokun e skuadrës, Vinicius Junior, duke e përshkruar si “po aq pozitiv sa gjithmonë”. Madrid përballet me Atletiko Madrid në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës në Jedah, me Belingham që theksoi: “Shumë nga problemet që mund të dëgjoni janë të ekzagjeruara. Në dhomën e zhveshjes jemi një ekip, të gjithë pas trajnerit.” Ai shtoi se presioni mbi Vinicius nuk e bën të dëmtojë ekipin dhe se loja e tij mbetet vendimtare për suksesin e Realit, pavarësisht mungesës së golave në 15 ndeshjet e fundit. Ndërkohë, Barcelona vijon goditjet në merkato, pavarësisht se kishte dyshime për përfshirjen e saj në treg në këtë fazë kalimtare dimërore.

Drejtori i Barcelonës, Deko, ka konfirmuar se Zhao Kancelo do të transferohet te klubi katalanas, duke i dhënë fund spekulimeve për një nga mbrojtësit më të kërkuar të merkatos. “Zhao Kancelo do të na bashkohet. Marrëveshja do të përfundohet”, tha Deko në deklaratën e fundit. Kancelo, i njohur për aftësitë e tij sulmuese dhe mbrojtëse, pritet të forcojë krahu të djathtë të Barcelonës, duke i dhënë trajnerit Hansi Flik më shumë opsione taktike. Ky transferim vjen në një moment kyç të sezonit, teksa Barça synon të rikthehet në garën për titujt kryesorë dhe të jetë konkurruese në të gjitha frontet. Merkato e dimrit është ende e gjatë dhe deri në fund të janarit të dy klubet, si Reali dhe Barcelona, mund të befasojnë me ndonjë lëvizje surprizë të orës së fundit. Barça e ka seriozisht me Kancelon, që llogaritet i kthyer, por Reali nuk po nxitohet, pasi në këtë moment ka rëndësi të harmonizohet grupi me trajnerin Alonso, sidomos sulmuesi Vinicius, që kohë më parë paralajmëroi largimin nëse nuk shihej prioritar në grup.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here