Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me hetimet që po kryhen nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për koncesionin e Portit të Limionit në Sarandë, e cila është pronë e ushtrisë. Dosja po shkon drejt mbylljes, ndërsa SPAK pritet të finalizojë akuzat mbi aferat me pronat e ushtrisë, ku rol kryesor ka dhe Belinda Balluku. Artur Meçollari, i cili ka depozituar një kallëzim prej 65 faqesh dhe është thirrur disa herë në SPAK, deklaron se veprimet hetimore janë zhvilluar prej kohësh dhe kanë përfshirë kontrolle banesash, sekuestrim celularësh dhe largime nga detyra të komandantëve të lartë. Sipas tij, lëvizjet e fundit në hierarkinë ushtarake, dekretet e Presidentit dhe prania e përsëritur e BKH-së në Presidencë lidhen drejtpërdrejt me hetimin e bazës së Limionit dhe pritet që çështja të përfundojë në gjykatë me akuza konkrete.
Ja detajet që zbulon Meçollari
“Deri tani, Presidenti ka firmosur tre dekrete për lirim nga detyra, emërim dhe gradim, dhe pritet i katërti. Të gjitha lëvizjet kanë vetëm një objektiv: lëvizjen nga detyra të Komandantit të Forcës Tokësore dhe të Komandantit të Forcës Detare. Të dy këta duhet të largohen nga detyra. Bëhet fjalë për Gjeneral Major Ilir Xhebexhia dhe Kundëradmiral Adnand Agastra. Xhebexhia e mbush vitin tjetër afatin e kohës së lirimit nga detyra, kurse Agastra pas dy vjetësh. Përse? Sepse, në fakt, të dy këta janë të përfshirë në historinë e bazës së Limionit. Të dy kanë marrë pjesë në firmosjen e kontratave dhe dorëzimin e bazës së Limionit. Për këtë qëllim, Presidenti – që të mos duket sikur kjo jep përshtypjen që SPAK duhet të veprojë shpejt në lidhje me këtë rast – i ka lëvizur, sepse po të merreshin masa ndaj tyre gjatë qëndrimit në detyrë, do të krijoheshin dy probleme. E para, do të shpërbënte hierarkinë e komandim-kontrollit.
Pasi të arrestosh apo të pezullosh një komandant në detyrë, do të thotë që prish skemën e komandim-kontrollit. E dyta, do të ishte një rast jo i këndshëm që të arrestohet një komandant madhor në detyrë. Për këtë arsye, Presidenti bëri lëvizjet që ata të jenë sipas ligjit. Një ushtarak ndaj të cilit nis hetimi penal për shkak të detyrës, automatikisht pezullohet nga detyra. Pra, nuk ka rëndësi nëse je në arrest burgu apo arrest shtëpie; mjafton të regjistrohet hetimi penal dhe pezullohesh nga detyra. Para dy muajsh ka pasur disa veprime hetimore për dy ish-pjesëtarë të Forcave të Armatosura: Bardhyl Kollçakun, që ka qenë Shef i Shtabit, dhe drejtoreshën e kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes. U janë kontrolluar shtëpitë dhe janë marrë celularët.
Njëkohësisht, janë kontrolluar persona që bënin pjesë në komisionin e dhënies me koncesion në Ministrinë e Infrastrukturës, ku njëri sot është në arrest me burg pasi është emëruar më pas drejtor i OSHEE-së. Dy të tjerët janë biznesmeni Artan Dulaku dhe drejtori i kompanisë së tij, Concord Investment. Të gjitha këto janë kontrolluar përpara dy muajsh dhe kjo ndoshta ka sjellë afër mbylljen e hetimit dhe çuarjen e çështjes në gjykatë. Mund të ngrihen akuza konkrete. Të dy personave, njëri që është liruar dhe tjetri që pritet të lirohet, Adnand Agastra, u janë marrë celularët para një viti e gjysmë. Për këtë arsye është graduar Kundëradmiral Arsen Mullai që të zëvendësojë Agastrën. Unë do ta këshilloja Presidentin që, siç shkarkoi këta, të shkarkojë edhe veten sa më shpejt të jetë e mundur. Begaj është i përfshirë me firmë në të gjitha pronat e forcës detare, duke filluar nga Shëngjini, Pashalimani deri te Limioni.
BKH-ja ka vajtur tre herë në Presidencë. Tre herë është pyetur në zyrë Presidenti për këtë çështje. Por Presidenti ndoshta mendon që duke bërë veprime të tilla mund t’i shmanget përgjegjësisë ligjore. Unë mund të bëj edhe një deklaratë: ata nuk i shpëton dot SPAK-u nga kjo histori. Janë të kapur të gjithë; kanë firmosur, përfshirë edhe Presidentin e Republikës. Edhe Presidentin, po ta them, SPAK-u nuk e shmang dot, pavarësisht respektit që kam për SPAK-un. Shëngjini dhe Limioni janë tepër delikate dhe kanë shumë përfshirje. Por pika më e nxehtë sot është Pashalimani, që e ka firmosur me dorën e tij Bajram Begaj dhe kjo e implikon direkt Presidentin. Ndërsa NATO ka pesë vjet që e studion, Bajram Begaj hoqi 80 hektarë nga plani i përhapjes dhe veprimit me një procedurë të vitit 2016 që është në hetim në SPAK”, tha ndër të tjera Meçollari.
Roli i Belinda Ballukut në aferën me pronat e ushtrisë
Përveç Begajt, në këtë aferë është përfshirë dhe Belinda Balluku me vartësit e saj.
Hapi 1 – Nisja e procedurës nga MIE nën drejtimin e Belinda Ballukut
Si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), Belinda Balluku ishte autoriteti politik përgjegjës për procedurën e dhënies me koncesion/PPP të Portit Turistik “Marina Limion”. Pas kërkesës së paraqitur nga subjekti privat më 2 shtator 2019, komisioni i koncesioneve në MIE miratoi kërkesën pa verifikuar statusin juridik të pronës ku do të zhvillohej projekti.
Hapi 2 – Shpallja e fituesit pa sqaruar statusin e pronës
Më 10 tetor 2019, MIE njoftoi fituesit e procedurës konkurruese. Në këtë fazë, autoriteti kontraktues, që vepronte nën ministrinë e drejtuar nga Balluku, nuk kishte siguruar dakordësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, ndonëse projekti prekte pronë ushtarake.
Hapi 3 – Përgatitja e projektvendimit dhe dokumentacionit me firmën e Ballukut
Më 13 janar 2020, Belinda Balluku firmosi shkresën nr. 402, përmes së cilës MIE u dërgoi Ministrisë së Mbrojtjes dhe katër ministrive të tjera projektvendimin e Këshillit të Ministrave, relacionin shpjegues dhe draft-kontratën e koncesionit për “Marina Limion”. Të gjitha këto dokumente mbanin firmën e saj dhe parashikonin shprehimisht zhvillimin e projektit në pronën nr. 696 “Baza Ndihmuese Limion”, pronë në administrim të Forcave të Armatosura.
Hapi 4 – Injorimi i kundërshtimeve zyrtare të strukturave ushtarake
Nga janari 2020, MIE mori një sërë përgjigjesh negative: Komanda e Forcës Detare, Shtabi i Përgjithshëm i FA dhe më pas vetë Ministria e Mbrojtjes shprehën mosdakordësi të qartë, duke argumentuar se prona ishte pjesë e Planit të Vendosjes dhe Përhapjes së FA dhe se projekti cenonte sigurinë kombëtare. Këto kundërshtime iu komunikuan zyrtarisht MIE-së.
Hapi 5 – Vazhdimi i procedurës pavarësisht “JO”-së së Ministrisë së Mbrojtjes
Megjithëse më 30 janar 2020 Ministria e Mbrojtjes, refuzoi miratimin e projektit, Belinda Balluku vijoi procedurën. Më 23 qershor 2020, MIE lidhi kontratën koncesionare me shoqërinë “Marina Limion”, duke shpërfillur faktin se prona ishte me status të veçantë ushtarak.
Hapi 6 – Miratimi përfundimtar përmes VKM-së
Më 1 korrik 2020, Këshilli i Ministrave miratoi VKM nr. 515 për kontratën e koncesionit, e cila ishte identike me draftet e përgatitura dhe dërguara më herët nga MIE me firmën e Ballukut. Kështu, projekti u legalizua në nivel qeveritar, pavarësisht kundërshtimeve institucionale dhe mungesës së dakordësisë së Ministrisë së Mbrojtjes.
Hapi 7 – Denoncimi në SPAK dhe përgjegjësia politike
Më 28 dhjetor 2021, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Bajram Begaj, dorëzoi në SPAK të gjithë praktikën e dokumenteve, përfshirë shkresat me firmën e Belinda Ballukut. Denoncimi u bë vullnetarisht dhe evidentoi faktin se MIE kishte disponuar me kontratë koncesioni mbi një pronë ushtarake të mbrojtur me dekret presidencial.
Konkluzioni i SPAK
SPAK dhe Gjykata e Lartë konstatuan se dhënia me koncesion e Portit Turistik “Marina Limion” është në kundërshtim me nenin 6 të ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet”, pasi përfshin një pronë që shërben për sigurinë kombëtare dhe kërkon masa të veçanta mbrojtjeje. Në këtë proces, roli i Belinda Ballukut rezulton thelbësor, si ministre që firmosi, shtyu dhe finalizoi procedurën, pavarësisht ndalesave ligjore dhe refuzimeve zyrtare.


































