Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka komentuar përplasjet e fundit në Kuvend, duke deklaruar se veprimet e opozitës nuk e dëmtojnë qeverinë, por përkundrazi, e ndihmojnë atë. I ftuar në një emision televiziv, Koçi theksoi se në këtë fazë kryefjalën e ka drejtësia dhe jo përplasja politike.
Sipas tij, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, SPAK ka vepruar në mënyrë të drejtë duke kërkuar nga Kuvendi leje për një masë sigurie ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
“Ne jemi në një situatë ku kryefjalën në dorë e ka drejtësia, pra SPAK. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, SPAK me të drejtë ka kërkuar lejen e Kuvendit për një masë sigurie arrest”, u shpreh Koçi.
Ai kritikoi ashpër sjelljen e opozitës në seancën plenare, duke thënë se kaosi dhe shfaqjet e dhunshme nuk shërbejnë për të luftuar korrupsionin.
“Me shfaqjen e sotme, praktikisht opozita e ka ndihmuar korrupsionin, nuk e ka luftuar dot. Nuk ditën të shfrytëzojnë seancën për debat me argumente”, tha ish-deputeti socialist.
Koçi vlerësoi se pretendimi i opozitës për ballafaqim në Kuvend me Ballukun nuk është realist.
“Në këto lloj parlamentesh nuk mund të ketë ballafaqim real. Pretendimi që Balluku duhej të vinte për ballafaqim nuk më duket i sinqertë”, shtoi ai.
Duke folur për çështjen në thelb, Koçi theksoi se pretendimet e SPAK janë serioze, por se ende nuk mund të flitet për fajësi.
“Ne nuk jemi as gjyqtarë dhe as prokurorë për të thënë që zonja Balluku është fajtore, por pretendimet e prokurorisë janë serioze”, deklaroi ai.
Sipas Koçit, situata do të ishte zgjidhur më herët nëse Balluku do të kishte dhënë dorëheqjen. “Zgjidhja duhet të vinte që në fillim me dorëheqjen e saj. Duke mos e bërë këtë, SPAK ka thelluar kërkesat”, theksoi ai.
































