Në Itali luan një kontigjent thelbësor i formacionit të përfaqësueses së futbollit shqiptar, lojtarë që luajnë në nivele të larta dhe që kanë pjesën e bërthamës më të rëndësishme në formacionin titullar të trajnerit Silvinjo. Kohët e fundit një nga lojtarët që po paraqitej më mirë ishte pikërisht mesfushori Medon Berisha, i cili është pjesë e Leçes në Serie A dhe po kalonte një formë spektakolare me gola e asiste. Por dëmtimi i tij ka ngritur pikëpyetje të shumta jo vetëm për klubin italian, por edhe trajnerin e Kombëtares Silvinjo që po monitoron haptas hapi formën e lojtarëve të tij në mënyrë që kur të vijë marsi të ketë një grup sa më të plotë e me sa më shumë cilësi sportive. Në fakt, në Itali problem po kalon edhe Hysaj që nuk është më në planet e Lacios, kurse Asllani e Ismajli te Torino kanë marrë kritika gjatë ditëve të fundit. Edhe vetë kapiteni Gjimshiti kaloi disa probleme në ndeshjen e fundit dhe u zëvendësua, duke ngjallur panik tek stafi teknik i Atalantës. Edhe në ligat e tjera europiane ka lojtarë shqiptarë që po kalojnë disa probleme dëmtimesh gjatë kohëve të fundit.
Situata e Berishës
Siç shkruajnë mediat italiane, Medon Berisha është shqetësimi më i madh i Leçes për momentin. Mesfushori shqiptar u dëmtua në minutat e para të ndeshjes me Pizën, ndërsa po kalonte një kampionat fantastik. Pas rezonancës së kryer sot, klubi dha informacionin e parë zyrtar për gjendjen e Berishës. “US Leçe njofton se futbollisti Medon Berisha, pas dëmtimit të pësuar gjatë ndeshjes Leçe-Piza, iu nënshtrua një skaneri me rezonancë magnetike sot në mëngjes, i cili zbuloi një lezion të shkallës së dytë të muskulit rektus femoris të kofshës së djathtë”. Për këtë dëmtim është raportuar një kohë rikuperimi, të paktën katër javë. Më e keqja shkon deri në tetë javë. Doktori i Leçes, Xhusepe Kongedo, foli dje ndërkohë për situatën e Berishës. “Mendoj se rreth një muaj do të mjaftojë. Është një goditje e rëndë sepse Medoni po shkonte mirë, po dilte në pah dhe është një nga hallkat e rëndësishme të kësaj skuadre. Është i njëjti muskul ku u dëmtua vitin e kaluar, prandaj mund të jetë një rikthim i dëmtimit. Do të shohim, janë vetëm hipoteza. Nesër (sot) do të mund të jemi më të saktë”, u shpreh doktori i ekipit të Leçes.
Asllani e Ismajli
Humbja e Torinos javën e shkuar sikur i vuri dy lojtarët kuqezi në provë të vështirë. Kështu, Ardijan Ismajli dhe Kristian Asllani nuk patën vlerësim aq të mirë sikurse ishim mësuar t’i shohim për disa javë rresht në Serie A. Asllani në një moment humbi edhe një penallti e prej atij momenti presioni ndaj tij ka qenë i madh. Madje, presidenti i Torinos, Kairo, u shpreh për mediat se merkato që kishte bërë ende nuk po jepte efektet e duhura dhe kishte vend për diskutim. Gjithsesi, mesfushori Asllani ka kualitet dhe pritet të bëjë kthesë të fortë. Edhe Ismajli është lojtar që e fiton me meritë formacionin në mbrojtje. Në Itali, luajnë edhe vëllezërit Shpendi, por ata aktivizohen në Serie B. Paraqitje të mira ka patur edhe mesfushori Ylber Ramadani, që është shok ekipi me Medon Berishën te Leçe.
































