Mbrëmë në kryeqytetin e Katarit, Doha, u mbajt ceremonia gala e dhënies së çmimeve për më të mirët e vitit në futboll. Natyrisht një pjesë e çmimeve të shpërndara mbrëmë ishin të parashikueshme, nisur nga suksesi që pati në Ligën e Kampioneve klubi i njohur francez, Paris San Zhermen. Kështu, çmimin e më të mirit për lojtarët e fitoi Osman Dembele. Pra ai mori çmimin “The Best”. Këtë çmim e ndan FIFA për lojtarin më të mirë të vitit në futboll. Dembele fitoi çmimin për sukseset që ka arritur me PSG-në, ku përfshihet edhe triumfi në Ligën e Kampionëve. Ai më parë e ka fituar edhe “Topin e Artë”. Në garë për më të mirin, Dembele fitoi në konkurrencë me Kilian Mbapen e Lamine Jamalin. Duhet thënë se Mbape shkëlqeu te Reali i Madridit, ndërsa Jamal me Barcelonën. Te futbollistet, më e mira u shpall spanjollja Aitana Bonmati.
Njëjtë si Dembele, edhe Bonmati e kishte fituar “Topin e Artë”. Ndonëse ishte në konkurrencë për çmimin kryesor, Kilian Mbape nuk ka zënë vend në ekipin më të mirë të vitit, sipas FIFA-s. Në sulm në ekipin më të mirë janë përzgjedhur Dembele e Jamal. Mesfusha përbëhet nga Xhud Belingham, Vitinja, Pedri dhe Kole Palmer. Ndërkohë Akraf Hakimi, Uilliam Paço, Virgjil van Dijk dhe Nuno Mendes janë përzgjedhur në mbrojtje. Kurse Xhixhi Donaruma u votua si portieri më i mirë në ekipin e vitit. Çmimin “The Best” në mesin e trajnerëve e fitoi spanjolli i PSG-së, Luis Enrike. Ai fitoi në konkurrencë me Hansi Flikun e Barcelonës dhe Arne Slotin e Liverpulit. Te futbollistet, trajnerja më e mirë u shpall Sarina Viegman, holandezja në krye të Anglisë. Ceremonia, për dallim nga shorti për Botërorin 2026, nuk ishte e gjatë.
Mesi ka fituar tre çmime “FIFA The Best” (2019, 2022, 2023), duke theksuar ndikimin e tij të qëndrueshëm në etapa të ndryshme të karrierës dhe duke konsoliduar vendin e tij në historinë e futbollit. Kristiano Ronaldo fitoi dy çmime “FIFA The Best” (2016, 2017), të dy gjatë viteve të tij më të mira te Real Madrid, duke theksuar një periudhë kur dominimi i tij individual përputhej në mënyrë të përkryer me suksesin e ekipit. Çmimet “The Best” FIFA ka nisur t’i japë nga viti 2016. Vendosi të shpall më të mirët pasi u nda me revistën “France Football”, me të cilën e organizoi FIFA Topin e Artë nga viti 2010 deri në vitin 2015. Fituesit e çmimeve “The Best” përcaktohen me votat e shikuesve, trajnerëve të ekipeve përfaqësuese, kapitenëve dhe gazetarëve të sportit.
































