Një sulm i rëndë me armë zjarri ka tronditur Australinë të shtunën, kur 16 persona, përfshirë edhe një fëmijë, humbën jetën në Bondi Beach, në shtetin australian të New South Wales. Viktimat ishin të moshave nga 10 deri në 87 vjeç.
Ngjarja e përgjakshme ndodhi në kohën kur në zonë po zhvillohej një aktivitet publik për shënimin e fillimit të festës hebraike Hanukkah. Policia e New South Wales ka bërë të ditur se rasti po trajtohet si një akt terrorist.
Sipas autoriteteve, në sulm ishin të përfshirë dy persona, babë e bir. Njëri prej tyre, një burrë 50-vjeçar, i cili u qëllua nga efektivët e policisë dhe ndërroi jetë në vendngjarje. Autori i dytë, djali i tij 24-vjeçar, mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në spital nën mbikëqyrje të rreptë policore.
Komisioneri i Policisë së New South Wales, Mel Lanyon, deklaroi se hetimet kanë përparuar gjatë natës dhe se autoritetet nuk po kërkojnë më persona të tjerë të përfshirë në sulm.
“Dy autorët ishin babë e bir, përkatësisht 50 dhe 24 vjeç. 50-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa 24-vjeçari ndodhet në gjendje kritike në spital”, tha Lanyon.
Lanyon, bëri të ditur po ashtu se autori 50-vjeçar i cili u vra në vendngjarje ishte posedues i licencuar i armëve të zjarrit.
Gjatë natës, policia ka kryer dy kontrolle me urdhër gjykate në lagjet Bonnyrigg dhe Campsie, në pjesën perëndimore të Sydney-t, si pjesë e hetimeve për sulmin e armatosur në Bondi Beach.
Sipas Lanyon, 50-vjeçari kishte të regjistruara në emrin e tij gjashtë armë zjarri dhe dyshohet se të gjashta këto armë janë përdorur edhe gjatë sulmit në Bondi Beach.
Komisioneri theksoi se çështja do të hetohet në mënyrë të plotë dhe të detajuar për të zbardhur rrethanat se si armët janë përdorur në këtë ngjarje të rëndë.
Në fund, Lanyon bëri të ditur se dy efektivë të Policisë së New South Wales vazhdojnë të jenë të shtruar në spital, ndërsa shtoi se prania e forcave të rendit do të jetë e shtuar dhe shumë e dukshme pranë vendeve të kultit, për arsye sigurie.
Ndërkohë, kryeministri i shtetit të New South Wales, Chris Minns, konfirmoi gjatë një konference për shtyp në Sydney se 15 persona të pafajshëm kanë humbur jetën, ndërsa viktima e 16-të është një nga autorët e sulmit. Ai bëri të ditur se moshat e viktimave variojnë nga 10 deri në 87 vjeç dhe se 42 persona të tjerë vazhdojnë të trajtohen në spital.
Minns u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë solidaritet në këto momente të vështira, duke theksuar se komuniteti duhet të qëndrojë i bashkuar pas kësaj ngjarjeje tragjike.
“Është e rëndësishme t’u tregojmë se australianët e zakonshëm janë pranë tyre dhe po mendojnë për ta, pas këtij sulmi të tmerrshëm dhe të qëllimshëm, në një ngjarje që duhej të ishte festive dhe që ata kishin çdo të drejtë ta ndanin me komunitetin në Bondi Beach”, tha ai.
































