Ministria greke e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar nisjen e ndërtimit të autostradës Janinë-Kakavijë në fund të këtij viti.
Sipas ministrisë, autostrada prej 70 kilometrash me vlerë 310 milionë euro, është financuar plotësisht në kuadër të Kornizës Referuese Strategjike Kombëtare të mbështetur nga BE (NSRF/ESPA 2021–2027).
Ky projekt, që pritet të përfundojë brenda 4.5 viteve do të zgjasë autostradën Ionia në veri të Greqisë deri në pikën kufitare të Kakavijës, duke krijuar një korridor ndërkufitar jetësor me Shqipërinë.
Dimitris Anagnopoulos, Sekretari i Përgjithshëm i Infrastrukturës, tha se projekti është teknikisht i vështirë, por do të ofrojë një autostradë të teknologjisë së fundit që sipas tij forcon zhvillimin rajonal dhe kombëtar.
Autostrada do të lidhë Janinën me Kalpakin dhe fshatrat e Zagorisë përpara se të arrijë në Kakavijë, duke lidhur dy rrjetet kryesore të Greqisë nga perëndimi në veri, Oda Ionia dhe Oda Egnatia, me Shqipërinë.
Planet e kësaj autostrade përfshijnë gjashtë kryqëzime rrugore, restaurimin e rrugëve lokale dhe përmirësime të ardhshme të segmentit Kalpaki- Kakavija.
Punimet përgatitore bëhet me dije se tashmë kanë filluar. Firma kontraktuese është emëruar, studimet gjeoteknike janë në proces dhe shqyrtimet përfundimtare të projektimit dhe shpronësimet e pronave janë duke përparuar.
Pasi të përfundojë, autostrada pritet të transformojë lidhjen në Greqinë veriperëndimore, duke lehtësuar lëvizshmërinë dhe duke përforcuar rolin e Greqisë si një portë hyrëse për në Ballkanin Perëndimor.
































