Egnatia thyen Dinamon brenda në “Air Albania”, Vllaznia në krizë totale vetëm barazim me Bylisin

0
25

Ditën e djeshme u luajtën edhe dy ndeshjet e fundit të javës së 6-të në “Abissnet Superiore”, ku ra në sy barazimi i Vllaznisë në fushën e saj përballë Bylisit, 1-1, barazim që e mban në vend numëro dhe e distancon nga skuadrat e tjera të kreut që ecin para me shpejtësi. Rezultati i djeshëm i vë shkdranët nën presion, ndërkohë që Bylisi me 1 pikë nga Shkodra duket i kënaqur. Padyshim kryendeshja e djeshme ishte ajo mes Dinamos dhe Egnatias, e cila merrte vlerë për pozitat e skuadrave në kryesim. Egnatia fitoi me zgjuarsi 2-1 dhe i afrohet me 1 pikë Elbasanit kryesues.

Vllaznia në krizë totale

Vllaznia nuk është më ajo skuadra e fillimsezonit, e cila i merrrte zvarrë kundërshtarët dhe mbante kryesimin për shumë javë. Shkodranët vijojnë të zhgënjejnë gjatë javëve të fundit dhe dje ishte zhgënjimi i radhës. Më shumë se zhgënjim duhet pranuar që Vllaznia po kalon një krizë serioze, një rënie e pakuptueshme dhe mjaft e dëmshme për objektivat e ekipit. Vllaznia dhe Bylisi barazuan kështu 1-1 në Shkodër, ku shkodranët nuk ia dolën të merrnin tre pikët në fushën e tyre as përballë një ekipi i cili kishte vetëm 6 lojtarë në pankinë, si dhe iu ndëshkua trajneri Josa me të kuq në pushimin e ndeshjes. Shkodranët kërkuan golin më shumë, ndonëse rastet ishin me pikatore, teksa ballshiotët kishin vendosur vetëm të kundërsulmonin në këtë sfidë. Avantazhi i kuqebluve erdhi me një kryevepër të Kallakut në pjesën e parë. Por në të dytën, Bylisi ia doli të ndëshkonte pavëmendjen e vendasve, për të barazuar shifrat. Më pas loja foli për Vllazninë, por munguan gjuajtjet drejt portës së mbrojtur nga Vashu e kësisoj, sfida u mbyll me një barazim 1-1. Vllaznia çon në 5 numrin e ndeshjeve radhazi pa fitore që e kanë larguar ndjeshëm nga kreu, kurse Bylisi merr një pikë të vlefshme sidomos për moralin në luftën për mbijetesë.

Egnatia shumë e fortë për Dinamon

Kryendeshja e javës së 16-të në Superiore ishte ajo mes Dinamos dhe Egnatias. Përtej të gjitha parashikimeve, Egnatia bëri një befasi të madhe, duke fituar përballë bluve dinamovitë me rezultatin 2-1. Takimi u zhvillua në stadiumin “Air Albania” në kryeqytet ku Dinamo shihej favorite. Por ishte Egnatia që shënoi shumë shpejt me anë të Albanezes, që në minutën e 6-të. Ky gol e “vrau” Dinamon, pasi e detyroi të dilte nga skemat e saj të zakonshme, pasi i duhej të sulmonte për të gjetur barazimin dhe që ta bënte këtë i duhej të linte hapësira mbrapa që shfrytëzoheshin lehtë nga Egnatia. Në fakt, heroi i mbrëmjes ishte portieri i skuadrës rrogozhinase, Dajsinani, i cili ishte i pakalueshëm. Pjesa e parë mbyllet 1-0. Në pjesën e dytë Dinamo e rriti ndjeshëm presionin në sulm dhe tentoi me çdo formë për të gjetur barazimin, por Egnatia me një portier në formë dhe mbrojtje të rreshtuar mirë nuk la hapësira për kundërshtarin. Në minutën e 58-të, Egnatia shënon golin e dytë, po me Albanezen. Ky gol e thërrmoi ëndrrën e “nëndetëses dinamovite” për të marrë pikë në këtë ballafaqim. Rrogozhinasit u kthyen prapa për të administruar epërsinë dhe deri në fund ia dolën të ruajnë fitoren, pavarësisht sulmeve të pareshtura të Bregut, Vilës e Nanit, e ku dinamovitët shënuan një gol nderi në sekondat e fundit me anë të Qefalijës.

Java 16

Të shtunën

Teuta-Tirana                1-1

Partizani-Flamurtari    2-1

Vora-Elbasani              0-1

Të dielën

Vllaznia-Bylis             1-1

Dinamo-Egnatia          1-2

Renditja

Nr.Skuadra    Pikë

1.Elbasani        32

2.Egnatia         31

3.Dinamo        26

4.Vllaznia        26

5.Teuta            24

6.Partizani       23

7.Vora              16

8.Bylis             15

9.Flamurtari     13

10.Tirana         8

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here