Kryenegociatori i Hamasit, Khalil Al-Hayya, tha se vrasja e njërit prej komandantëve të lartë të grupit nga ushtria izraelite po kërcënon qëndrueshmërinë e armëpushimit.
“Shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjes së armëpushimit nga Izraeli dhe vrasjet e fundit që shënjestruan Saedin dhe të tjerët kërcënojnë qëndrueshmërinë e marrëveshjes. U bëjmë thirrje ndërmjetësve, dhe veçanërisht garantuesit kryesor, administratës amerikane dhe Presidentit Donald Trump, që të punojnë për ta detyruar Izraelin të respektojë armëpushimin dhe të angazhohet për të”, tha Al-Hayya në një fjalim.
Eleminimi i komandantit të lartë të grupit, Raed Saed, është vrasja e parë e një figure të lartë të Hamasit që kur hyri në fuqi një marrëveshje armëpushimi në Gaza e mbështetur nga SHBA-të në tetor.
Burime të Hamasit e kanë përshkruar Saedin si zëvendëskomandantin e krahut të armatosur të grupit, pas Izz eldeen Al-Hadad. Izraeli thotë se Saed ishte një nga arkitektët kryesorë të sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit që shkaktoi luftën.
Ndërkohë, Al-Hayya foli gjithashtu për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) të propozuar nga OKB-ja.
“Roli i forcave ndërkombëtare duhet të kufizohet në ruajtjen e armëpushimit dhe ndarjen e të dy palëve përgjatë kufijve të Gazës. Pa asnjë rol brenda Rripit apo ndërhyrje në punët e brendshme të tij”, tha ai.
Vendosja e forcës është një pjesë kyçe e fazës tjetër të planit të paqes të Trump në Gaza. Sipas fazës së parë, një armëpushim në luftën dyvjeçare filloi më 10 tetor me lirimin e pengjeve nga Hamasi dhe lirimin e palestinezëve të ndaluar nga Izraeli.
Komanda Qendrore e SHBA-së do të organizojë një konferencë në Doha më 16 dhjetor me vendet partnere për të planifikuar Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën.
































