Reali reagon ndaj humbjes me City-n/ Merret vendimi për Alonso

0
35

Kriza te Real Madridi është thelluar pas humbjes 1–2 në “Santiago Bernabeu” kundër Manchester City, një rezultat që ka konfirmuar rënien e ndjeshme të skuadrës në javët e fundit.

Sipas mediave spanjolle, Xabi Alonso ndodhet në një moment shumë kritik të qëndrimit të tij te Real Madridi. Rezultatet negative e kanë vënë nën presion të madh, pasi skuadra ka arritur vetëm dy fitore në tetë ndeshjet e fundit dhe ka pësuar katër humbje në pesë takimet e fundit të La Ligës.

Ky bilanc ka shqetësuar drejtuesit, të cilët kanë vendosur një ultimatum të qartë. Sfidën e radhës në transfertë ndaj Alaves e konsiderojnë vendimtare për të ardhmen e trajnerit spanjoll. Nëse Real Madrid nuk arrin të marrë fitoren, shkarkimi i Xabi Alonsos mund të vendoset përpara Krishtlindjeve.

Prania e Zinedine Zidane në stadium ndaj Cityt, shtoi edhe më shumë spekulimet për largimin e Alonsos.

Megjithatë, pavarësisht pranisë së tij në stadium, Zidan nuk shihet si një alternativë reale për momentin. Florentino Perez është në dijeni të objektivit të francezit, i cili ka vendosur të presë për të marrë drejtimin e kombëtares së Francës pas përfundimit të Kupës së Botës 2026. Kjo e bën të pamundur një rikthim të tij në stolin madrilen në këtë fazë të sezonit.

Për këtë arsye, Real Madridi ka nisur të përgatisë zgjidhjet e brendshme në rast se vendos të ndërpresë bashkëpunimin me Alonson. Emri më i mundshëm është Alvaro Arbeloa, trajneri aktual i të rinjve dhe një figurë e njohur brenda klubit, që konsiderohet i gatshëm të marrë drejtimin e ekipit të parë në mënyrë të menjëhershme. Në listë mbetet edhe Santiago Solari, që mund të shërbejë si trajner i përkohshëm, siç ka ndodhur edhe në periudha të mëparshme.

Real Madridi ndodhet kështu në një moment delikat të sezonit, ku rezultatet e dobëta dhe pikëpyetjet rreth pankinës kërkojnë vendime të shpejta për të shmangur humbje të mëtejshme në aspektin sportiv dhe organizativ.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here