BE-ja rrezikon zhdukjen kulturore/ SHBA publikon strategjinë e re të mbrojtjes

0
50

Qeveria e presidentit amerikan Donald Trump ka publikuar një dokument të ri mbi “Strategjinë e Mbrojtjes Kombëtare”, në të cilin paralajmëron Europën për rrezikun e një “zhdukjeje kulturore” dhe thekson synimin për të rikthyer “sovranitetin amerikan” mbi Amerikën Latine. Dokumenti shprehet gjithashtu se “epoka e migracionit masiv” duhet të marrë fund.

Sipas dokumentit, ekziston rreziku real që Europa të përballet me “shuarje kulturore”. “Nëse tendencat aktuale vazhdojnë, kontinenti do të jetë i panjohur për 20 vjet ose edhe më pak”, thuhet në tekstin e publikuar nga administrata Trump.

Një nga prioritetet kryesore të SHBA-ve, sipas dokumentit, është zgjidhja e konfliktit ruso-ukrainas.

“Është interes parësor i Shteteve të Bashkuara që të negociojnë një ndalim të shpejtë të luftimeve në Ukrainë, në mënyrë që të stabilizohen ekonomitë europiane, të shmanget një përshkallëzim i pavullnetshëm i luftës, të rikthehet stabiliteti strategjik me Rusinë dhe, pas përfundimit të luftimeve, të sigurohet rindërtimi i Ukrainës që ajo të mbijetojë si një shtet i qëndrueshëm”.

Dokumenti thekson se administrata Trump është në kundërshtim me zyrtarët europianë, të cilët, sipas tij, kanë “pritshmëri jorealiste” për luftën.

“Shumica dërrmuese e europianëve dëshirojnë paqe, por kjo dëshirë nuk shndërrohet në politikë, kryesisht për shkak të minimit të proceseve demokratike nga vetë qeveritë e tyre. Kjo është strategjikisht e rëndësishme për SHBA-të, sepse shtetet europiane nuk mund të ndërmarrin reforma kur janë të bllokuara në krizë politike”.

Dokumenti prej 33 faqesh kërkon gjithashtu “rivendosjen e sovranitetit amerikan” mbi Amerikën Latine dhe paralajmëron një “rishpërndarje” të pranisë ushtarake të SHBA-ve në botë.

Sipas tij, kjo do të bëhet “për t’iu përgjigjur kërcënimeve urgjente në kontinentin tonë dhe për t’u larguar nga skenat ku rëndësia strategjike për sigurinë kombëtare është zvogëluar gjatë viteve apo dekadave të fundit”.

Në të njëjtin dokument, Uashingtoni thekson se “epoka e migracionit masiv duhet të përfundojë”. “Siguria e kufijve është një element themelor i sigurisë kombëtare”, thuhet në tekst, teksa administrata Trump ka ashpërsuar ndjeshëm politikat migratore.

“Duhet të mbrojmë vendin tonë nga pushtimet, jo vetëm nga migracioni i pakontrolluar, por edhe nga kërcënimet ndërkufitare si terrorizmi, trafiku i drogës, spiunazhi dhe trafikimi i qenieve njerëzore”.

SHBA-të u bëjnë thirrje Japonisë dhe Koresë së Jugut të kontribuojnë më shumë në mbrojtjen e Tajvanit ndaj Kinës. “Duhet t’i inkurajojmë këto vende të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes, me theks tek aftësitë e nevojshme për të penguar kundërshtarët që të mos sulmojnë Tajvanin”, thekson dokumenti.

Dokumenti adoptuar nga administrata Trump përqafon teorinë e “zëvendësimit të madh”, duke e lidhur atë me çështjen e migracionit. “Është më shumë se e mundshme që, brenda disa dekadave, pjesa më e madhe e vendeve anëtare të NATO-s të jenë jo-europiane”, thuhet në tekst.

Sipas dokumentit, elitat “po dobësojnë fuqinë elektorale të europianëve të bardhë, duke hapur kufijtë ndaj migrantëve nga vendet afrikane, kryesisht ato me popullsi myslimane”.

Më tej, dokumenti kritikon vendimet europiane që “minojnë lirinë politike dhe sovranitetin, politikat migratore që transformojnë kontinentin dhe shkaktojnë tensione, censurimin e lirisë së shprehjes, shtypjen e opozitës politike, rënien e normave të lindshmërisë dhe humbjen e identiteteve kombëtare”.

Uashingtoni shpreh shpresën se “Europa do të mbetet europiane, do të rifitojë vetëbesimin kulturor dhe do të braktisë fiksimin e pafrytshëm me rregulloret e tepërta”.

Dokumenti përfshin disa paragrafë të shkurtër mbi strategjinë amerikane në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, ndërsa synon të riformësojë të gjithë politikën diplomatike dhe ushtarake përballë zhvillimeve gjeopolitike të viteve të fundit.

Sa i përket energjisë, dokumenti nënvizon se “arsyeja historike” pse SHBA-të fokusoheshin tek Lindja e Mesme “do të zvogëlohet”.

Së fundi, autoritetet amerikane të Migracionit dhe Shtetësisë (USCIS) njoftuan të martën se pezullojnë shqyrtimin e të gjitha kërkesave për marrjen e “green card”-ës dhe për natyralizim, të paraqitura nga qytetarë të 19 vendeve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here