BE i vendos gjobë platformës “X”/ Reagon Rubio: Sulm ndaj popullit amerikan…

0
57

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi sot se gjoba që Bashkimi Evropian i vendosi platformës X, rrjetit social të Elon Musk, përbën “sulm ndaj popullit amerikan nga qeveri të huaja”.

“Gjobën prej 140 milionë dollarësh që vendosi Komisioni Evropian nuk e shoh vetëm si një sulm ndaj platformës X, por si një sulm ndaj të gjitha platformave teknologjike amerikane dhe ndaj popullit amerikan nga qeveri të huaja,” shkroi Rubio në një postim në rrjetin social të Musk.

“Epoka e censurimit të amerikanëve në internet ka marrë fund,” shtoi ai.

Komisioni Evropian ka vendosur një gjobë prej 120 milionë euro ndaj platformës X për shkelje të detyrimeve të transparencës që parashikon Ligji për Shërbimet Digjitale (DSA). Shkeljet përfshijnë dizajnin mashtrues të “shenjes blu”, mungesën e transparencës në arkivin e reklamave dhe dështimin për të ofruar akses në të dhënat publike për studiuesit.

Sipas vendimit, përdorimi i “shenjes blu” për “llogaritë e verifikuara” mashtron përdoruesit, pasi çdokush mund të paguajë për të marrë statusin “i verifikuar” pa ndonjë verifikim real nga kompania.

Kjo e bën të vështirë për përdoruesit të vlerësojnë autenticitetin e llogarive dhe përmbajtjes me të cilën ndërveprojnë.

“Kjo formë mashtrimi i ekspozon përdoruesit ndaj mashtrimeve, përfshirë imitimin, si dhe ndaj formave të tjera të manipulimit nga aktorë keqdashës,” thekson Komisioni. Ai sqaron gjithashtu se “edhe pse Ligji për Shërbimet Digjitale nuk kërkon verifikim të detyrueshëm të përdoruesve, ndalon qartë platformat të pretendojnë rrejshëm se një përdorues është verifikuar kur një gjë e tillë nuk ka ndodhur”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here