Kombëtarja i mbylli ndeshjet në grupin K eliminator për kualifikueset e Kupës së Botës dhe tani pret e qetë duelin e parë në mars në kuadër të “play-off”-it, ku shorti na ka vendosur përballë Poloninë, skuadër të vështirë. Por duhet thënë se objektivat e skuadrës për vend të dytë në grupin K janë përmbushur dhe për këtë meritë ka grupi i lojtarëve dhe vetë stafi teknik me në krye trajnerin Silvinjo. Në mars do ta kemi të vështirë, por në futboll futesh në fushë me rezultat 0-0 dhe në futboll ka të papritura, ndaj dhe optimizmi i një kualifikimi të mundshëm në Botëror është i lartë. Kuqezinjtë gëzojnë formë të mirë, por kjo duhet parë në vijimësi në muajt në vazhdim, pasi deri në momentin e zhvillimit të ndeshjeve të “play-off”-it ka ende shumë kohë. Mund të ketë dëmtime e rikuperime, ndaj dhe analizat bëhen kur afrojnë datat e ndeshjeve. Për të pasur një pasqyrë më të saktë të rëndësisë së kualifikimit të Kombëtares në “play-off” të Botërorit 2026, gazeta “SOT” intervistoi një prej personaliteteve të futbollit tonë, Haxhi Ballgjinin, i cili vlerësoi pozitivisht punën e ekipit dhe të stafit dhe uroi që në mars të arrijmë atë që do të ishte historike, kualifikimi në një Kupë Bote.
– Kombëtarja do të luajë në mars ndeshjet në “play-off” për kualifikim në Botëror, në një farë mase arritje për përfaqësuesen tonë. Para se të shkojmë të flasim për pritshmëritë në “play-off”, si do ta përshkruanit ecurinë e Shqipërisë në fazën kualifikuese të Botërorit?
– Për mendimin tim ecuria në eliminatoret e Botërorit ishte e mirë dhe ajo që ka rëndësi është arritja e objektivit. Desha të shtoj se suksesi është i dyfishtë. Së pari ne arritëm të zinim vendin e dytë në grup, pas Anglisë, dhe së dyti lamë pas Serbinë, një përfaqësuese rivale. Natyrisht, në ecurinë e skuadrës jo çdo gjë ishte perfekte, pati peripeci dhe oshilacione, por e tërësishmja është se objektivi është realizuar. Në fund të fundit, në futboll kanë vlerë pikët dhe renditja dhe këto dy elementë skuadra i përmbushi. Me këtë rast u takon një “bravo” djemve të Kombëtares dhe stafit kuqezi. Mua loja me Andorrën nuk më pëlqeu, ka vend për kritika, për më tepër që ajo ndeshje, për rrethanat që erdhën në grupin K, ishte si një finale. Por ka një thënie që vjen e besueshme në këto raste: Finalet janë për t’u fituar dhe ne atë finale e fituam. Këtu marrin fund të gjitha aludimet dhe pakënaqësitë, sepse u përmbush objektivi.
– E lamë pak mënjanë ndeshjen me Serbinë, e cila ishte vendimtare. A ishte dueli i luajtur në Leskovac më i miri për tanët dhe njëherësh përcaktues në këtë rrugëtim drejt Botërorit? A ishte ajo fitore “qershia mi tortë” e këtyre eliminatoreve?
– Ndeshja me Serbinë në Leskovac ishte më e mira, padiskutim. Shiko, para ndeshjeve vendosen kuotat, kjo e ka më të lehtë e ai më të vështirë, por në futboll asnjëherë nuk i dihet dhe ajo ndeshje tregoi se mund të fitosh edhe në fushë të vështirë. Fitorja me Serbinë atje ishte vërtet “qershia mbi tortë” në rrugëtimin e suksesshëm të ekipit drejt “play-off”-it të Botërorit. Pra, udha drejt “play-off”-it mori jetë pikërisht aty, tani mbetet vetëm të ruhet ky trend suksesi.
– Dy fjalë për Silvinjon pas fazës së ndeshjeve kualifikuese. Sa qëndron mbështetja për të, ose më saktë, a është ai i justifikuar në krye të ekipit?
– Kush fiton nuk gjykohet. Natyrisht, ka vend për diskutim, kjo nuk mohohet, por është trajneri që e njeh më mirë grupin, i njeh më mirë elementët. Kjo pasi ai është më afër tyre. Në bazë të stilit të tij të lojës ai zgjedh ata elementë që mendon se e përmbushin stilin e tij. Unë vetë i jap të drejtë dhe janë pikërisht rezultatet që i japin të drejtë. Mos harroni, ai ka vetëm 3 vjet në krye të ekipit tonë dhe ka shkuar një herë në finalet e Europianit, ka siguruar “play-off”-in e një Botërori që nuk ishte realizuar më parë dhe ka zhgënjyer vetëm në Ligën e Kombeve. Asnjë trajner tjetër më para tij nuk i ka patur këto rezultate. Siç thashë, përjashto Ligën e Kombeve, ku nuk e di si përfunduam ashtu, në aktivitetet e tjera Silvinjo ka qenë i suksesshëm.
– Le të flasim për “play-off”-in, ku shorti na ka vendosur përballë Polonisë dhe nëse kalojmë atë përplasemi me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi. Çfarë prisni në mars?
– Për mua është short shumë i vështirë, për më tepër që ndeshjen e luajmë në fushën e tyre. Megjithatë, unë kam shpresë, e them këtë duke nisur nga natyra që kanë ndeshjet e futbollit. Ndodhin edhe të papritura, në një ditë të mirë mund të marrësh rezultat maksimal, ndaj shpresoj të jemi në momentin më të mirë. Gjithsesi, ndeshjet e marsit janë ende larg. Paraqitja do të varet nga gjendja e futbollistëve në atë moment, nga performanca që ata kanë me ekipet e tyre në Europë. Që të pretendosh rezultat duhet të kesh një grup lojtarësh në formë, pra forma e futbollistëve të jetë optimale. Nga ana tjetër, mua më duket se ne si Kombëtare luajmë më mirë jashtë fushës tonë. Kjo ndodh sepse ne jashtë aplikojmë një lojë me skemë kundërofensive. Pra, kundërsulmi na ka dhënë shpesh efikasitet dhe ndoshta si ky me Poloninë mund të jetë rasti për t’u aplikuar.
– Sa shanse kemi ne të fitojmë përballë tyre?
– E vështirë të thuhet. E cilësova më lart, ky është duel shumë i vështirë për ne. Natyrisht, dëshira është e madhe, por në futboll s’mjafton vetëm dëshira, duhet cilësi dhe përgatitje. Le të themi se shanset janë 50:50, por ne të gjithë e dimë se Polonia shihet favorite për këtë ndeshje. Sidoqoftë, shpresojmë të bëhet më e mira.
-Të flasim nja dy fjalë për Superioren tonë. Nuk e di sa e keni ndjekur, si ju duket kampionati sivjet?
– Po, e kam ndjekur. Më pëlqen rivaliteti që ka këtë edicion. Për mua ky kampionat ka më shumë rivalitet se vitet e shkuara. Shoh një dëshirë të madhe të klubeve për të pasur jo vetëm lojë cilësore e rezultative, por edhe dëshirë për të qenë në Europë. Më vjen keq për disa skuadra që ndodhen nga fundi, si Tirana dhe Partizani, por nga ana tjetër më vjen mirë për Teutën, skuadër me të cilën jam më i lidhur shpirtërisht, e cila ndodhet aktualisht në 4-she. Kjo më bën optimist për ecurinë e Teutës në këtë edicion. Shpresoj ta mbajë këtë ritëm dhe që të jetë në “Final Four”, për mendimin tim duhet të rritet fizikisht, sepse mundësitë i ka. Shoh një kampionat konkurrues dhe kjo më jep kënaqësi.
Intervistoi: Adriatik BALLA



































