Berisha dhe Muriqi në formacionin e më të mirëve të javës në Itali dhe Spanjë

0
67

Lojtarët e përfaqësueses tonë po regjistrojnë performancë të mirë dhe kanë rritur kreditet e tyre në sytë e Silvinjos. Ka dhe lojtarë që janë tërhequr nga ekipi përfaqësues, por vijojnë të luajnë në nivele të larta me klubet e tyre në ligat e ndryshme të Europës, sikurse ndodh me “raketën” Odise Roshi, lojtar i shpejtë dhe teknik, që luan në kategorinë e dytë turke. Por vëmendjen dje e morën lojtarët titullarë që luajnë në top-ligat e mëdha europiane, sikurse janë Medon Berisha i përfaqësueses së Shqipërisë që luan me Leçen në Serie A italiane, dhe sulmuesi Vedat Muriqi i Kosovës që luan për Majorkën në Spanjë. Të dy kanë spikatur javët e fundit me skuadrat e tyre dhe kanë tregues mjaft premtues. Ndërkohë, sulmuesi Arbër Hoxha, që po kalonte një moment të mirë me Dinamon e Zagrebit, e ka lënë pas dëmtimin dhe mund të kthehet që këtë javë në duelin kundër Hajdukut të Splitit.

Muriqi e Berisha në formacionet e javës

Sulmuesi i Majorkës, Vedat Muriqi, ka zënë vend në formacionin më të mirë të javës së 14-të të La Ligës. Formacioni më i mirë i javës është përzgjedhur të martën nga faqja e specializuar për statistika “SofaScore”. Muriqi të shtunën shënoi dy gola në barazimin 2:2 të Majorkës ndaj Osasunës. 31-vjeçari Muriqi ka tetë gola të shënuar në 13 ndeshjet e luajtura në edicionin aktual të kampionatit spanjoll. Sulmuesi i qendrës, Muriqi, është duke kaluar formë shumë të mirë me Majorkën. Ndërkohë mesfushori Medon Berisha ka zënë vend në formacionin më të mirë të javës së 13-të të Serie A. Berisha aktivizohet për skuadrën e Leçes që të dielën fitoi 2:1 ndaj Torinos në shtëpi. Berisha ishte i përfshirë në dy golat e Leçes duke dhuruar dy asistime.

Odise Roshi vijon shkëlqimin në kampionatin turk

Odise Roshi po kalon një moment mjaft të mirë me fanellën e Keçiorengyçy, duke u bërë protagonist me golat e tij në ndeshjet e kësaj skuadre. Pasi shënoi në fundjavë në kampionatin e kategorisë së dytë turke, Roshi gjeti edhe sot rrjetën, këtë herë në Kupën e Turqisë ku skuadra e tij përballej me Kaizerispor. Ndeshja shkoi me kohë shtesë pasi koha e rregullt përfundoi 0-0. Pikërisht në shtesën e dytë, kur regjistrohej minuta e 117-të, Roshi shënoi golin që vulosi kualifikimin. Ai mori topin në zonë dhe me një kthesë të shpejtë e dërgoi në rrjetë, duke dyfishuar avantazhin që skuadra e tij kishte gjetur vetëm pak minuta më parë e duke i vënë vulën fitores 2-0.

Silvinjo merr bonos rrogën deri në fund të marsit

Edhe pse kontrata e trajnerit kuqezi, brazilianit Silvinjo, mbyllet në dhjetor, duket e FSHF do ta paguajë atë deri në fund të marsit, për të parë më pas nëse shkojmë apo jo në BOtërorin e vitit tjetër. Mësohet se Silvinjo ka përfituar një bonus për t’u paguar edhe 3 muaj të tjerë, si trajner i Shqipërisë, pra deri në muajin mars, kur më 26 dhe 30 janë dy ndeshjet e “play-off”-it, ato që vendosin përfundimisht fatin tonë të Botërorit, por i sigurojnë gjithashtu brazilianit edhe një edicion tjetër automatikisht, përndryshe, janë negociatat që do të zgjidhin të ardhmen e tij, me apo pa kuqezinjtë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here