Kreu i PD-së, Sali Berisha duket se po përçan grupin e anëtarëve të PD-së që morën pjesë në një takim, pasi ka emëruar Xhemal Gjunkshin si Këshilltar për Sigurinë Kombëtare pranë tij. Ky vendim është marrë ditën e djeshme dhe mbështetet në nenin 46 të Statutit të PD-së dhe futet në fuqi menjëherë. “PD zgjedh Xhemal Gjunshkin për postin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Partia Demokratike ka emëruar Xhemal Gjunshkin në detyrën e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare pranë Kryetarit të PD-së, Sali Berisha.
Vendimi është firmosur ditën e sotme dhe bazohet në nenin 46 të Statutit të Partisë Demokratike. Emërimi hyn në fuqi menjëherë dhe vjen në kuadër të forcimit të mëtejshëm të strukturave të rritjes së kapaciteteve profesionale brenda Partisë Demokratike”, njoftoi dje PD. Kujtojmë se z. Gjunkshi ishte një nga ish-kandidatët për deputetet të PD-së që mori pjesë në takimin informal të enjten e 27 nëntorit në një hotel në Tiranë. Së bashku me të ishin demokratët e tjerë si Ervin Salianji, Ilir Alimehmeti, Aulon Kalaja dhe disa demokratë të tjerë. Dje Sali Berisha, nga një konferencë për mediat nga selia e PD-së, bëri me dije se grupi që mori pjesë në takimin informal, është takuar edhe me atë. “Së pari unë kam pritur dhe pres çdo ditë anëtarë, mbështetës dhe drejtues të PD, cilido që kërkon takim, ose persona që i thërras për arsye pune. Së dyti kjo parti ka forumet e veta dhe ka forume demokratike, në të cilat çdo anëtar, drejtues, mbështetës është i ftuar të shprehë lirisht çdo mendim.
Natyrisht duke thënë këtë nuk kam ndërmend ti them asnjë njeriu që ato mendime të mos i shprehë publikisht edhe në mediat e qeverisë, apo ku të duash. Por normale në një parti, kudo është, që mendimet, propozimet, opinionet, kritikat të shprehen brenda forumeve të partisë. A kam pritur, po. Kanë ardhur prej tyre, kanë ardhë vetë. Nuk kam thirrur asnjërin prej tyre, normal. Se një kafe, një kafe. Por kanë ardhur dhe kanë biseduar. E kam thënë dhe e them, ato janë personalitete të çmuara të PD-së. Natyrisht PD si çdo forcë tjetër politike në Shqipëri, Europë, botë, ka aktivitetet e saj brenda forumeve të saj”, deklaroi dje Berisha.
































