“Trajneri i Liverpulit, Arne Slot, duhet ta lërë Mohamed Salah në stol”, thotë ish-sulmuesi i Mançester Junajtid, Uejn Runi. Humbja 3-0 ndaj Notingham Forest në “Anfield” ishte një tjetër ndeshje ku egjiptiani – që ka shënuar pesë gola këtë sezon – nuk arriti të regjistronte gol apo asist. “Nëse do të isha në vend të Slot, do të provoja të merrja një vendim të madh vetëm për të krijuar ndikim te pjesa tjetër e ekipit”, tha Runi në episodin e fundit të podcast-it të tij. “Salah nuk po i ndihmon fare në mbrojtje.“Nëse je një nga lojtarët e rinj që kanë nënshkruar dhe je në stol, dhe sheh atë të mos vrapojë – edhe pse ai është legjendë e klubit dhe gjithçka që ka bërë është fantastike – çfarë mesazhi të jep ty kjo situatë?” 33-vjeçari sezonin e kaluar u bë lojtari i parë në historinë e Premier League që e mbylli kampionatin si golashënuesi dhe asistuesi më i mirë, duke fituar edhe çmimin “Lojtari i Sezonit”.
Forma e tij e jashtëzakonshme u përputh me një sezon debutues shumë të suksesshëm për Slot, i cili e udhëhoqi Liverpulin drejt titullit pas largimit të Jurgen Klop. Megjithatë, pas një merkatoje të ngarkuar – ku u sollën Florian Virtz dhe Aleksander Isak për 241 milionë euro – Liverpuli është futur në krizë. “Të kuqtë ndodhen në vendin e 11-të me 18 pikë në 12 ndeshje. “Ata po kalojnë një periudhë shumë të vështirë, apo jo?” shtoi Runi, pesë herë kampion i Anglisë. “Duhet të shikosh edhe efektin e asaj që fatkeqësisht ndodhi me Jotën. Çfarë ndikimi ka ajo te lojtarët? Janë shokët e tij të ekipit, normalisht që ndikon. “Por pastaj nuk ka justifikim për mosluftim dhe mosangazhim.”
Kapiteni Virgjil van Dijk tha pas humbjes se “të gjithë duhet të marrin përgjegjësi”, dhe me Liverpulin që ka vetëm një fitore në shtatë ndeshjet e fundit të kampionatit, hija e Klop po rëndon mbi Slot. “Mendoj se Slot ka një punë të madhe për ta rikthyer ekipin duke luajtur mirë dhe duke fituar,” tha Runi. “Gjëja kryesore është se kur ke një seri të tillë rezultatesh, emri i Klop gjithmonë del në skenë. “Është pak si rasti me Sir Aleks Ferguson te Mançester Junajtid. Kur erdhi David Moyes apo më pas Van Gal, emri i Fergie gjithmonë përmendej. “Me Slot po ndodh e njëjta: ‘Nuk është Klop, nuk është aq i mirë sa Klop’. “Por mendoj se tifozët e Liverpulit duhet të largohen nga ky krahasim dhe të qëndrojnë pas tij”, theksoi më tej Runi. Pra, ish futbollisti i Junajtid u tregua në përgjithësi kritik për trajnerin Slot, të cilit i rekomandon të lerë në stol Salahun.

































