Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë mësyrë ditët e fundit në Ministrinë e Financave, për të marrë nga arkivat e këtij institucionin, dokumentin zyrtar për faljen e gjobës 120 milionë euro, që ish-ministrja Anila Denaj u bëri kinezëve të “Bankers” në vitin 2019. Dosja e “Bankers Petroleum Albania” ka kaluar prej muajsh në SPAK dhe në kuadër të hetimeve, është kërkuar dhe dokumentacioni zyrtar që është mbajtur nga shteti shqiptar për këtë masë administrative, si dhe procedura e ndjekur për faljen e saj. Kompania “Bankers Petroleum” është gjobitur nga 3 inspektorë të Hetimit Doganor, pas Akt-Kontrollit Nr. 290345 Prot., datë 13.12.2016 dhe Akt Kontrollit e Proces-Verbalit të datës 22.09.2017, sepse refuzoi të lejonte kontrollin në depot doganore.
Vendimi për gjobë, është marrë i mbështetur në prova për evazion fiskal e kontrabandë, nëpërmjet fshehjes së prodhimit dhe import-eksporteve fiktive, që “Bankers Petroleum” bënte e vazhdon të bëjë me depot doganore. Pas ankimesh e trajtimesh gjyqësore, gjoba, ka qëndruar në fuqi si “Titull ekzekutiv” deri më 16 korrik 2019, por pa u paguar nga “Bankers Petroleum”, për shkak se institucionet ligj-zbatuese nuk janë lejuar të vepronin me masa shtrënguese (sekustro bankare). Më 2019, nga regjistri doganor, në rubrikën “Debitorët dhe gjobat”, rezultoi se ishte hequr gjoba 104 milionë Euro, detyrim i pashlyer nga kompania “Bankers”, pa dhënë asnjë sqarim publik.
Reagimi i Murrizit
Ish-deputeti Myslym Murrizi akuzon se Denaj ia fali gjobën Bankers me porosi të kryeministrit Rama. “Kjo është gjoba 120 milionë euro që ish-ministrja e Financave Anila Denaj ia “fali” BANKERS-it më 31 maj 2019 me porosi të “palloshit”. Për këtë gjobë kam folur në Parlament në vitin 2020 dhe ia kam lënë në dorë KM Ramës, ose siç e thërrasin “koleget” me përkëdheli, Palloshit, dhe nuk reagoi”, shkruan Murrizi. Ish-deputeti ka nxjerrë dhe dokumentin.

Gjoba e vendosur ndaj Bankers, që iu fal nga ish-ministrja Denaj
“Meqenëse dosja e Bankers-it ka kaluar në SPAK dhe pashë nëpër portale që agjentë të BKH-së kanë kërkuar dokumentacionin në Ministrinë e Financave për këtë gjobë, po ua jap unë që të mos lodhen kot. Në atë kohë SPAK-u, i drejtuar nga enveristi Kraja, nuk kishte kohë të merrej me gjëra të “vogla” si kjo gjoba 120 milionë euro, se kishte hallin e autokombajer Bektashit nga Kozare dhe të Prof. Edvin Priftit, që ishte kundër vaksinave Covid-19 që sajuan qelbesirat e Sorrosit me në krye një fëlliqësirë si Fauci. Por më duket se ky lajm për kontroll në Ministrinë e Financave mund të jetë shoë për të humbur vëmendjen nga ngjarjet e ditëve të fundit, dhe nuk besoj që SPAK-u e ka seriozisht hetimin e BANKERS-it, sa kohë që gjyqtari i GJKKO-së Erjon Çela liroi nga burgu njërin nga dy ish-administratorët e BANKERS-it që ishte arrestuar nga gjykata e Fierit.
Ndoshta pasi të gjejnë këtë gjobë që është “falur” apo të transkriptojnë telefonat BQ, SKY, ECRO, ku gojët e liga thonë se Anila thotë “më ka urdhëruar Palloshi”, mund t’i rrasin një të liruar edhe administratorit tjetër që është kinez prej vërteti, jo “kinez” si ai që kanë liruar. Dhe për çudi, të gjitha mediat dhe portalet u “trodhën” e nuk belbëzuan asnjë fjalë si lajm për lirimin nga burgu dhe daljen në arrest shtëpie të ish-administratorit me afat të gjatë të BANKERS PETROL, hajdutëve të politikës shqiptare prej vitit 2004”, shkruan ndër të tjera Murrizi.

































