Vendimi/ UEFA lejon Barcelonën të luajë ndeshjet e veta në “Kamp Nou”

0
33

Në Spanjë dy klube e bëjnë diferencën në futboll. Ata janë Reali i Madridit dhe Barcelona. Edhe pse kampionati anglez është më cilësori sot për sot në botë, klubet angleze kur garojnë në kuadër të UEFA-s vetëm dyshen spanjolle kanë frikë. Në fakt, Reali ka dominuar skenën e futbollit për klube gjatë 15 vjetëve të fundit, duke fituar një numër të madh trofesh të Champions League, ndërsa Barcelona ka pasur më pak triumfe në Europë dhe ato kryesisht kur në gjirin e ekipit luante Lionel Mesi.

Tashmë klubi katalanas është përfshirë nga zhvillimet infrastrukturore që pritet të kenë ndikim në të ardhmen. Në fakt, referuar informacioneve të fundit, UEFA i ka dhënë Barcelonës dritën jeshile për të zhvilluar ndeshjet e Ligës së Kampionëve në “Camp Nou”-n e rindërtuar pjesërisht, njoftuan gjigantët e La Ligës të mërkurën. Lajmi vjen vetëm pak ditë pasi Barça njoftoi rikthimin e shumëpritur në ndeshjet e kampionatit në stadiumin e tyre, i cili ishte përballur me kaos ndërtimi, pas më shumë se dy vitesh në mërgim. Kampionët e Spanjës do të presin Eintraht Frankfurt-in në “Camp Nou” më 9 dhjetor, pak më shumë se dy javë pas rinaugurimit të stadiumit kundër Athletic Bilbaos në ndeshjen e La Ligës më 22 nëntor. Barcelona tha në një deklaratë se “UEFA e ka pranuar kërkesën, duke konsideruar se të gjitha kërkesat e nevojshme janë plotësuar”. Rikthimi në Camp Nou i jep fund një sage të ndërlikuar, në të cilën Barcelona ka qenë e detyruar të shtyjë disa herë hapjen e stadiumit për shkak të vonesave në ndërtim dhe mosmarrjes së lejeve të sigurisë. Katalanasit u detyruan në mënyrë të turpshme të luanin dy ndeshje në stadiumin e tyre stërvitor “Johan Krujf” me kapacitet 6 mijë vende, në javët e para të sezonit, pasi nuk kishin marrë lejen e nevojshme për “Camp Nou” për arsye sigurie.

Që atëherë, ata kanë luajtur në stadiumin Olimpik me 55 mijë ulëse në kodrën Montjuiç. Barcelona do të hapë “Camp Nou”-n kundër Bilbaos me një kapacitet të përkohshëm prej 45,401 spektatorësh, ndërsa kapaciteti përfundimtar do të arrijë në 105 mijë kur të përfundojë plotësisht rrethimi i sipërm. Stadiumi u hap për 23 mijë tifozë për të ndjekur një seancë stërvitore në fillim të nëntorit, si pjesë e procesit të testimit për rihapje. Vonesat në punime përfaqësojnë një humbje të madhe financiare për klubin, i cili ka nevojë për të ardhurat e stadiumit për të rikthyer stabilitetin. Barcelona, që po përballet me vështirësi të rënda financiare, pritet të shpenzojë 1.5 miliardë euro (1.74 miliardë dollarë) për rindërtimin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here