Mbrojtësi i përfaqësueses tonë të futbollit, Mario Mitaj, është një nga lojtarët që ka shkëlqyer me kuqezinjtë gjatë fushatës kualifikuese të Botërorit 2026. Paraqitjet e tij mbresëlënëse me fanellën kuqezi kanë marrë vlerësimin e merituar në arenën ndërkombëtare. Platforma e njohur e statistikave “SofaScore” e ka përfshirë Mitajn në formacionin ideal të edicionit kualifikues për zonën e Europës, duke e renditur si mbrojtësin më të mirë të majtë të këtij cikli. Ai gjendet në një 11-shen elitare ku bëjnë pjesë yje nga Franca, Portugalia, Holanda, Belgjika, Spanja dhe Anglia. Mitaj është vlerësuar me notën mesatare 7.62 për ndeshjet e luajtura për këtë fushatë kualifikuese. Ai luajti në 6 nga 8 ndeshjet e kuqezinjve, duke munguar vetëm në duelet ndaj Anglisë. Në të parën për shkak dëmtimi dhe në të dytën u la në tribunë për arsye kartonësh nga trajneri Silvinjo. Në të gjitha ndeshjet ku ishte në fushë, Mario Mitaj ka qenë titullar i padiskutueshëm dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares kuqezi. Talenti i kuqezinjve është zgjedhur në formacionin më të mirë në këto kualifikuese, duke u vënë përkrah yjeve europianë si Kevin de Bryjn, Pedri, Odegard dhe Kilian Mbape. Padyshim që ky vlerësim është shenjë e mirë për lojtarin që të kthehet në Europë dhe të luajë për një klub të madh. Ai e zgjodhi Arabinë Saudite, pra një klub të saj (Al Itihad), për ofertën financiare, por në Europë do të kishte mundësi të rritej.
Shqipëria humb dy vende në FIFA, Kosova fiton 4
Kualifikimi për herë të parë në “play-off” të Botërorit nuk i ka mjaftuar Kombëtares shqiptare që të ngjitë shkallë në renditjen e FIFA-s. Fitorja me Andorrën ka sjellë pikë minimale, të cilat janë neutralizuar nga humbja në shtëpi ndaj Anglisë. Kësisoj, kuqezinjtë kanë humbur 0,27 pikë në krahasim me renditjen e një muaji më parë dhe kanë rënë nga vendi i 61-të, në atë të 63-tin. Ndërkaq, bie në sy se Kosova ka vendosur një rekord të ri të saj pas fitores ndaj Sllovenisë dhe barazimit ndaj Zvicrës, që e shtynë drejt kualifikimit në “play-off” të Botërorit gjithashtu. Tashmë ajo është 4 vende më lart në klasifikimin e FIFA-s, duke u pozicionuar e 80-ta. Klasifikimi i muajit nëntor në FIFA është ai tek i cili do të bazohen shortet për “play-off” të Botërorit, por edhe për fazën finale të tij. Renditja e FIFA-s për zonë e Europës mban Shqipërinë në vazon e tretë në short që do të thotë se do të luajë në transfertë.
Skautët e Barcelonës ndjekin Fisnik Asllanin e Kosovës
Skautët e Barcelonës ishin të pranishëm në ndeshjen Slloveni – Kosovë, për ta përcjell nga afër paraqitjen e Fisnik Asllanit i cili shkëlqeu duke shënuar njërin nga golat e fitores me rezultat 0-2. Kështu raportojnë mediat spanjolle. Paraqitjet e tij me Hofenheimin dhe klauzola e lirimit që pritet të jetë nën 25 milionë euro e bëjnë Asllanin një objektiv tepër tërheqës për Barçën. Vetë futbollisti ka shprehur hapur ëndrrën për të luajtur në “Camp Nou”. Megjithatë, Barcelona nuk është e vetme në garë. Bajerni i Mynihut ka kontaktuar tashmë përfaqësuesit e lojtarit për të mësuar detajet e klauzolës.

































