Situatë problematike në Dukagjin/ Rrëshqitje dherash, përmbytje, izolohen disa fshatra malorë. Rrufeja djeg shtëpinë

0
58

Rrëshqitjet e dheut dhe vërshimet e ujërave si pasojë e motit të keq kanë bllokuar disa zona malore në Dukagjin, duke izoluar përkohësisht banorët. Situata paraqitet më problematike në aksin Theth-Ndërlysa dhe në segmentin Ndërlysa-Breg Lumi, ku disa fshatra mbeten të shkëputur pasi rrugët janë bërë të pakalueshme.

Autoritetet vendore njoftojnë se po pritet ndërhyrja e mjeteve të bashkisë Shkodër dhe ekipeve të Emergjencave Civile, të cilave do t’u bashkohen edhe Forcat e Ushtrisë, me qëllim zhbllokimin e rrugëve dhe rikthimin e qarkullimit normal për banorët e zonës. Ndërkohë, rruga kryesore Shkodër–Theth raportohet të jetë e kalueshme dhe pa probleme, ashtu si edhe akset nacionale dhe rrugët kryesore në gjithë qarkun Shkodër.

Përveç izolimit të fshatrave, një tjetër shqetësim mbetet mungesa e energjisë elektrike në shumë zona të bashkisë Vau Dejës dhe në disa fshatra të tjerë malorë ku moti i keq ka shkaktuar defekte në rrjet. Situata e rënduar nga kushtet atmosferike shoqërohet edhe me një incident të rëndë gjatë natës në fshatin Preknicaj të Shkrelit në Malësinë e Madhe, ku një banesë dykatëshe u përfshi nga flakët rreth orës 02:00. Shtëpia e shtetasit Zef Preknicaj është djegur plotësisht pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Hetimet paraprake tregojnë se shkaku i zjarrit mendohet të ketë qenë një rrufe, e shkaktuar nga aktiviteti i shtuar elektrik në atmosferë gjatë 24 orëve të fundit.

Grupet e punës së bashkive, Emergjencave Civile, Forcave të Ushtrisë, OSHEE dhe strukturave të tjera janë në gatishmëri të plotë për të menaxhuar çdo situatë emergjente që mund të shfaqet. Ndërkohë, autoritetet i bëjnë thirrje banorëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, sidomos në zonat malore të qarkut Shkodër, deri në përmirësimin e kushteve të motit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here