GJKKO ka shuar akuzat ndaj ish-Shefit të Operacionales, Oltion Bistri i arrestuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Si rrjedhojë Bistri fiton lirinë, 2 vite pasi u arrestua me urdhër të SPAK.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se në vendimin e marrë sot, Oltion Bistri u shpall fajtor për zbulim të akteve ose të dhënave sekrete. Për këtë akuzë, Bistri u dënua me 2 vite, por do të lirohet menjëherë pas shuarjes së masës.
Ndërkohë ai u shpall i pafajshëm për akuzën tjetër, atë për korrupsion dhe për pastrim parash pasi nuk ka fakte e prova.
Gjithashtu, GJKKO ka rrëzuar edhe kërkesën për konfiskimin e pasurive. Bistrit i rikthehen pronat e sekuestruara me urdhër të SPAK.
Po ashtu, po për dosjen “Metamorfoza”, GJKKO vendosi që për Pëllumb Gjokën dhe Ardit Hasanbegaj të japë vendimin me datë 2 dhjetor pasi nuk kanë bërë mbrojtjen avokatët e tyre.
Dënimet
Edmond Preka u dënua me 10 vite burg, me gjykim shkurtuar zbret në 7 vite. Ai do të vuajë dënimin në burg të sigurisë së lartë.
Behar Brajovic (Bajri) u dënua me 13 vite burg por me gjykim shkurtuar zbret në 8.8 vite. Astmer Bilali u dënua me 8 vite e 6 muaj. Me gjykim të shkurtuar do të vuajë 5.8 vite burg. Xhevair Lita u dënua me 5 vite burgim. Me gjykim shkurtuar zbret në 3.4 vite burg. Ai do lirohet menjëhershëm për shkak se e ka shlyer dënimin.

































