Ata e kanë quajtur tashmë “raketa e vogël që do të mbrojë Evropën nga Putini”. Bëhet fjalë për Mark I, një raketë me kosto të ulët, me madhësi të krahasueshme me një bagetë, e projektuar për t’u përdorur masivisht si vijë e parë mbrojtëse kundër dronëve kamikaz rusë, si Geran-2, varianti rus i Shahed të Iranit. Projektin, të cilin disa britanikë e kanë quajtur “bageta e vogël anti-dronë”, e zhvilloi kompania estoneze Frankenburg Technology me seli në Tallin; synimi është prodhimi i një zgjidhjeje të arritshme dhe të shkallëzueshme për mbrojtje ajrore me kosto të ulët.
Kompania raportohet se ka ngritur tashmë kapacitete prodhuese në dy vende të NATO-s, me qëllim prodhimin e qindra njësi në ditë dhe ngritjen e një “muri anti-dronë” përgjatë kufirit lindor të Aleancës, duke kombinuar mjete luftë-elektronike dhe sisteme të përgjimit me raketat Mark I. “Nuk kemi frikë ta themi, po i prodhojmë për të rrëzuar dronët rusë me rreze të gjatë veprimi,” tha për Telegraph drejtori ekzekutiv dhe ish-zyrtari i mbrojtjes Kusti Salm, i cili i sheh këto sisteme si thelbësore për mbrojtjen perëndimore në dekadën e ardhshme.
Sipas raporteve fillestare, Mark I është rreth 65 centimetra e gjatë, ka një rreze veprimi prej rreth 2 kilometrash dhe kushton afërsisht 50,000 dollarë njësi, shumë më pak se interceptuesit e fuqishëm si Patriotët, që kushtojnë miliona dollarë secili. Përkundër përmasave të saj, Mark I përfshin kokëluftuese të përshtatshme, karburant dhe sensorë, dhe është e ndjekur nga inteligjenca artificiale, e dizajnuar të veprojë autonom pas lëshimit pa nevojën për lidhje të vazhdueshme me njësinë kontrolluese, një tipar që e bën më pak të ndjeshme ndaj ndërhyrjeve elektronike.


































