Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy u la i lirë mesditën e sotme, por me detyrimin që të jetë nën mbikëqyrje gjyqësore.
Ky vendim erdhi pas seancës në Gjykatën e Apelit të Parisit, ku ai po kërkonte lirim me kusht, më pak se tre javë pasi kishte hyrë në burg për të vuajtur një dënim me pesë vjet për konspiracion në skandalin e financimit libian të fushatës së tij presidenciale të vitit 2007.
“Gjykata shpall kërkesën për lirim të pranueshme dhe ju vendos nën mbikëqyrje gjyqësore”, deklaroi kryetari i gjykatës.
Sipas vendimit, Sarkozy-s i ndalohet të komunikojë me Ministrin e Drejtësisë, Gérald Darmanin. Në fillim të seancës, prokurori kishte dhënë shenja të favorshme për lirimin.
Ai propozoi lirim me kushte, duke argumentuar se rreziqet për të bashkëpunuar me bashkëpërfshirës ose për të ushtruar presion mbi dëshmitarët “mbështesin vendosjen nën mbikëqyrje gjyqësore”.
Prokurori Damien Brunet kërkoi njëkohësisht miratimin e kërkesës së ish-presidentit për lirim. Vetë Sarkozy, duke folur përmes videoconferencës nga burgu La Santé, e përshkroi qëndrimin e tij në qeli si “shumë të ashpër”, “degradues” dhe “një makth”. Ai theksoi se kjo përvojë e kishte lodhur fizikisht dhe shpirtërisht.
Avokati i tij, Jean-Michel Darrois, i cili ishte pranë tij në sallën e videoconferencës së burgut, deklaroi më herët: Izolimi ka qenë shumë i vështirë për të. Ai shtoi: Është një njeri i fortë, i qëndrueshëm dhe trim, por kjo mbajtje në burg i ka shkaktuar vuajtje të mëdha.
Një avokat tjetër i Sarkozy, Christophe Ingré, i cili ishte në sallën e gjyqit dhe e vizitonte çdo ditë, u shpreh se ish-presidenti do të ishte më i sigurt jashtë burgut sesa brenda.
Sarkozy kishte kaluar 20 ditë në burgun La Santé të Parisit, në izolim për arsye sigurie, në një qeli individuale rreth 9 metra katrorë, me dush dhe tualet privat. Dy truproja ndodheshin në një qeli fqinje për ta mbrojtur.


































