Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se do t’i japë fund menjëherë të gjitha negociatave tregtare me Kanadanë, pasi një reklamë e transmetuar në vend fqinji përdori zërin e ish-presidentit amerikan Ronald Reagan për të kritikuar tarifat tregtare.
Në një postim në Truth Social, Trump e cilësoi veprimin si “sjellje skandaloze” dhe tha se “të gjitha negociatat tregtare me Kanadanë përfundojnë me efekt të menjëhershëm”.
Së fundmi, presidenti ka vendosur një taksë 35% mbi importet kanadeze, me përjashtime për produktet që përfshihen në marrëveshjen USMCA me Meksikën dhe Kanadanë.
Trump akuzoi qeverinë e Ontarios se përmes reklamës është përpjekur të “ndërhyjë” në një vendim të ardhshëm të Gjykatës Supreme të SHBA-së, e cila pritet të gjykojë ligjshmërinë e tarifave globale të vendosura nga Uashingtoni.
Reklama njëminutëshe përmbante fragmente nga një fjalim i Reaganit i vitit 1987, ku ai paralajmëronte se tarifat tregtare “dëmtojnë çdo amerikan” dhe mund të shkaktojnë “lufta tregtare të ashpra”.
Ndërkohë, Fondacioni Ronald Reagan reagoi duke thënë se qeveria e Ontarios ka përdorur “audio dhe video selektive” pa leje dhe se po shqyrton opsionet ligjore ndaj përdorimit të materialit.
































