Gara për lojtarët shqiptarë nga disa federata europiane, edhe Ramaj e “tradhton” Kosovën

0
26

Rasti i Albian Hajdarit që la Zvicrën dhe zgjodhi Kosovën dhe ai i Adrian Bajramit që la Shqipërinë e zgjodhi Zvicrën, tregon se lëvizja e lojtarëve shqiptarë drejt një ekipi nacional nuk është kushtëzuar më vetëm në një drejti, pra drejt Shqipërisë, sikurse ishte më parë. Tani lojtarët po zgjedhin pa pasur nevojën e presionit nga jashtë. Po bëjnë zgjedhje në interes personal, gjë që e tregoi edhe Luis Hasa në Itali, që zgjodhi axurrët para kuqezinjve. Kështu kanë bërë edhe disa lojtarë të tjerë që kanë preferuar të luajnë për Gjermaninë si Brajan Gruda, apo dhe Nelson Veiperi me origjinë gjysmëshqiptare. Në këto rrethana, Federata Shqiptare e Futbollit, Federata e Futbollit e Kosovës dhe në veçanti ajo e Zvicrës, kanë nisur një rivalitet të fortë mes tyre, por ndonjëherë edhe kanë gjetur gjuhë të përbashkët, duke inkurajuar që ndonjë nga elementët le të zgjedhë Zvicrën para Kosovës e Shqipërisë, por kjo për të zbutur disi presionin që kjo çështje të mos bëhet precedent në UEFA.

Ramaj “mollë sherri” mes Gjermanisë dhe Kosovës

Portieri i Bundesligës, Diant Ramaj, nuk do të bashkohet me përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Këtë e ka bërë të qartë menaxheri i Ramajt, Jurgen Shvab. Së fundi ka pasur raportime se Diant Ramaj do të bashkohet me “Dardanët” që nga nëntori. Por 24-vjeçari shumë herë ka përsëritur se dëshiron të paraqitet për Gjermaninë. Ai është pjesë e Borusia Dortmundit, i huazuar te Heidenheimi, skuadra tjetër e Bundesligës. Është gazeta e madhe gjermane “Bild”, që ka shkruar për qëndrimin e Ramajt. “Raportimet janë përfundimisht false. Interesimi nga Kosova është i ditur dhe e gëzon Diantin. Por ai e ka bërë të qartë: ai nuk do të luajë për Kosovën, nuk është çështje për të”, ka thënë menaxheri Shvab për gazetën gjermane. Ramaj është zhvilluar në disa skuadra gjermane, ndërsa shpërtheu pas kalimit nga Eintraht Frankfurti tek Ajaksi në vitin 2023. Në fillim të këtij viti e transferoi Dortmundi, por e huazoi fillimisht te Kopenhageni në Danimarkë e më pas te Heidenheimi. Ai ka luajtur për Gjermaninë U18, U19 dhe U20. Deri më tani nuk është përmendur si opsion për Gjermaninë A, ndonëse e ka shprehur vazhdimisht këtë synim. “Bild” shkruan se Ramaj po shkëlqen te Heidenheimi me pritje të shumta vendimtare. Portier i parë i Kosovës është Arijanet Muriqi, që po bën karrierë në Serie A. Por Muriqi është i suspenduar për ndeshjen ndaj Sllovenisë, që zhvillohet më 15 nëntor në Lubjanë. Kështu rastin pritet ta fitojë Amir Shaipi, që ka humbur vendin te Lugano. Ai së fundi është aktivizuar më 31 gusht. Portier i tretë i Kosovës është Visar Bekaj, që paraqitet në kategorinë e dytë turke. Kosovës do t’i kryente shumë punë edhe një tjetër portier cilësor. Por Ramaj, të cilin FFK-ja e ka kontaktuar shumë vjet më parë, nuk do të jetë në konkurrencë me Aro Muriqin dhe të tjerët. Kosova është në garë për kualifikim në Botëror. Nëse shmang humbjen nga Sllovenia e siguron plejofin. Tri ditë pas ndeshjes me Slloveninë, Kosova e pret Zvicrën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here