Nga Spanja vijnë lajme jo të mira për Realin dhe Barcelonën, ku të parit i dëmtohen lojtarët, e tjetrës po i largohet një portier. Media spanjolle shkruajnë se lajmet e këqija për David Alaban duket se nuk kanë fund. I larguar nga loja kundër Getafes të dielën që shkoi, përfaqësuesi austriak po vuan nga një tërheqje muskulore në këmbën e djathtë. Lajmin e ka bërë të ditur mediumi “Cope”. Mbrojtësi veteran kështu do të mungojë në dy ndeshjet e rëndësishme të Real Madridit: të mërkurën kundër Juventusit në Ligën e Kampionëve dhe të dielën në “El Clasico” ndaj Barcelonës. Për ish-futbollistin e Bajern Munihut bëhet fjalë për lëndimin e radhës, i cili nga vera e vitit 2021 kur kishte përfunduar në kryeqytetin spanjoll, nuk kishte arritur kurrë që ta gjente vazhdimësinë shkaku i disa problemeve fizike.
Përkundër eksperiencës dhe lidershipit të njohur tashmë, futbollisti që i ka zhvilluar 111 ndeshje me Kombëtaren e Austrisë, niveli i Alabas ka rënë në mënyrë të vazhdueshme. Qendërmbrojtësi, i cili mund të luajë edhe në krahun e majtë të mbrojtjes, por edhe përpara mbrojtësve, duket se është duke i kaluar muajt e fundit në fanellën e Realit. Drejtuesit e klubit, të cilët qe një kohë janë duke e shqyrtuar freskimin e mbrojtjes, janë dorëzuar për Alaban, i cili mund t’i bëjë qysh tash valixhet gati. Pas afro një dekade me plot suksese në Gjermani, ëndrra spanjolle për Alaban është transformuar në dëshpërim dhe rënie. Rikthimi i tij i sërishëm në fushën e blertë nuk është caktuar ende dhe gjithçka lë të kuptohet se “Los Blancos” nuk duan të rrezikojnë ta kthejnë lojtarin para kohe dhe më pas të lëndohet përsëri. Ndërkohë, referuar mediave sportive spanjolle, portieri gjerman, Marc-Andre ter Shtegen, po e mendon largimin nga skuadra e Barcelonës në afatin dimëror. Kështu kanë shkruar të martën mediumet spanjolle.
Ter Shtegen është i lënduar, pas operimit të dytë në shpinë, dhe është në fazë të rikuperimit. Ai i ka munguar Barçës nga muaji korrik. Gjermani Ter Shtegen dëshiron të luajë për një klub ku do të ketë hapësirë më të madhe, në mënyrë që të jetë në formën më të mirë para fillimit të Kupës së Botës që mbahet vitin e ardhshëm. Ter Shtegen, që ta fitojë rastin te Gjermania, duhet që të ketë aktivizim të rregullt. Aktualisht portier i parë i Barçës është spanjolli Joan Garcia. Ndërkohë polaku Vojsieç Shezni është i dyti. 33-vjeçari Ter Shtegen me gjigantin katalanas ka kontratë deri në verën e vitit 2028.