Të pathënat e fitores së Shqipërisë në Leskovc ndaj Serbisë, Milojeviç uroi Manajn

0
55

Shqipëria siguroi një fitore mbresëlënëse ndaj Serbisë më 11 tetor në stadiumin e Leskovcit, duke marrë tri pikë të vyera për rrugëtimin e saj në grupin K kualifikues për Botërorin e ardhshëm në SHBA, Meksikë e Kanada. Theksojmë se kjo fitore e ngjiti përfaqësuesen tonë në kuotën e 11 pikëve, në vend të dytë pas Anglisë, e cila e ka siguruar kualifikimin dy xhiro para fundit (anglezët kanë 18 pikë). Serbët kanë 7 pikë, në vend të tretë, por kanë një ndeshje më shumë për të luajtur. Gjithsesi, dueli me anglezët shihet vendimtar për ta. Atyre u duhen tri fitore që të sigurojnë vendin e dytë, e kjo me kushtin që Shqipëria të humbasë të paktën me Anglinë në Tiranë. Por kjo duket e vështirë edhe për optimistët e skenarit serb. Shqipërisë i duhet një fitore e plotë e bindëse ndaj Andorrës, e më pas të mendojë për një rezultat pozitiv me anglezët në duelin e fundit në grup. kurse Serbia do të ndeshet me Andorrën, Letoninë dhe Anglinë në nëntor, pra nuk do ta ketë aspak të lehtë. Entuziazmi i asaj fitoreje u ka dhënë moral lojtarëve shqiptarë që tani janë kthyer me plot energji pozitive në skuadrat e tyre. Jehona e fitores është përcjellë edhe në klubet ku aktivizohen.

Qëndrimi i Manajt

Të gjithë kuqezinjtë spikatën në duelin e 11 tetorit kundër serbëve në stadiumin e Leskovcit në rajonin e Nishit në Serbinë jugore. Por ai që ishte protagonist absolut i asaj mbrëmjeje e që do të mbahet mend gjatë ishte Rei Manaj, me atë gol të shënuar në fund të pjesës së parë, gol që i dha tri pikë Shqipërisë, por në të njëjtën kohë e kompensoi lojtarin për atë humbje penalltie në ndeshjen e parë me serbët në Tiranë. Ndërkohë, referuar mediave sportive, heroi i fitores së Shqipërisë kundër Serbisë në Leskovac, Rei Manaj, zbuloi se Milosh Milojeviç e përgëzoi për golin e shënuar kundër Serbisë. Përfaqësuesja serbe u mund nga Shqipëra në Leskovc më 11 tetor me rezultatin 0-1, dhe këtë dhuratë për të gjithë kuqezinjtë e bëri goli i Rei Manaj. Festa e tij me duart në formën e shqiponjës acaroi edhe më tepër se goli serbët, por kjo pak rëndësi ka për ne. Pasi u rikthye në futbollin e klubeve, Rei Manaj ka deklaruar se Milosh Milojeviç, i cili është trajneri i tij në Sharjah me origjinë serbe e kishte përgëzuar për golin e shënuar gjatë ndeshjeve të kombëtares. “Marrëdhënia ime me trajnerin Milojeviç është e shkëlqyer. Kam respektin maksimal për të. Në fund të fundit, ai më përgëzoi kur u ktheva në klub nga angazhimi me Kombëtaren. Kjo është normale në futboll, ne jemi të gjithë këtu për shkak të suksesit të Sharjah – tha Manaj, siç raportohet nga “Al Etihad”, ndërkohë vlen të theksohet se Manaj ka shënuar edhe në ndeshjen e tij të parë pas rikthimit për klubin e tij në fitoren 2-0 ndaj Al Dhafra. Tani Manaj do të mendojë për dy duelet e fundit me Shqipërinë në muajin nëntor, pikërisht kundër Andorrës më 13 nëntor dhe më pas ndaj Anglisë më 16 nëntor në “Arena Kombëtare” e Tiranës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here