Muzeu i famshëm i Luvrit në Paris u mbyll këtë të dielë, pas një grabitjeje të ndodhur në orët e mëngjesit. Media franceze raporton se tre burra të maskuar hynë me forcë në muze dhe përdorën një ashensor mallrash për të hyrë në Galerinë Apollo, raporton korrespondenti i rrjetit britanik BBC në Paris.
Raportohet se hajdutët kishin me vete sharra të vogla elektrike dhe, pas grabitjes së nëntë objekteve me vlerë, u larguan me një skuter në drejtim të paditur. Mediat franceze raportojnë se një koleksion bizhuterish të Napoleonit dhe Perandoreshës u grabitën brenda shtatë minutash gjatë këtij sulmi.
Nuk raportohet për të plagosur gjatë grabitjes dhe policia po heton në vendngjarje, njoftoi Ministrja e Kulturës e Francës, Rachida Dati. Drejtuesit e muzeut të Luvrit njoftuan në mediat sociale se institucioni, i cili sot pritej të kishte mijëra vizitorë, do të jetë i mbyllur për pjesën tjetër të ditës për “arsye të jashtëzakonshme”.
































