Gjenerata Z përmbysi qeverinë në Madagaskar, ja cili vend mund të jetë i radhës

0
101

Presidenti i Madagaskarit, Andry Rajoelina, shpërndau parlamentin me dekret në Facebook, vetëm një ditë pasi publikoi një videomesazh ku njoftonte se ishte larguar nga vendi për në një “vend të sigurt” pas një atentati të dështuar ndaj tij. Protestat, të cilat nisën më 25 shtator, u ndezën për shkak të mungesës kronike të energjisë elektrike, ujit dhe kushteve të vështira ekonomike që rëndojnë mbi shumicën e popullsisë së Madagaskarit, një nga vendet më të varfra të botës.

Situata mori përmasa dramatike kur njësi të ushtrisë, përfshirë njësinë elitare CAPSAT, iu bashkuan demonstratave duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë, duke rikthyer kujtimet e grushtit të shtetit të vitit 2009 që e solli Rajoelinën në pushtet. Sipas mediave ndërkombëtare, presidenti madagaskas mund të ketë ikur nga vendi me një aeroplan ushtarak francez, megjithëse kjo nuk është konfirmuar nga autoritetet franceze. Ndërkohë, në Afrikën Veriore, Maroku po përjeton protestat më të mëdha në shumë vite, të udhëhequra nga lëvizja “GenZ 212”, e organizuar përmes platformave si TikTok dhe Discord.

Të dyja këto lëvizje, në Madagaskar dhe në Marok, janë pjesë e një vale më të gjerë protestash të Gjeneratës Z që po përfshin shumë vende të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine. Në Nepal, protestat kundër korrupsionit dhe kontrollit shtetëror mbi rrjetet sociale çuan në rrëzimin e qeverisë në fillim të shtatorit, ndërsa në Indonezi, Bangladesh, Sri Lanka dhe Kenia, të rinjtë kanë dalë në rrugë për të kërkuar drejtësi sociale dhe politike. Sociologët theksojnë se këto protesta nuk janë vetëm shpërthime të përkohshme pakënaqësie, por shënojnë një ndryshim të thellë brezash.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here