Federata Shqiptare e Futbollit i është kthyer metodave “të vjetra” rreth shitjes së biletave për ndeshjet e Kombëtares. Në fakt, entuziazmi që kishte mbërthyer atmosferën rreth përfaqësueses pas fitores me Serbinë ishte jashtëzakonisht i madh dhe kërkesat për bileta për ndeshjen e fundit në grup, atë me Anglinë, planifikuar në Tiranë më 16 nëntor, vijojnë të jenë të shumta, por kjo nuk ka lidhje me mënyrën si sillet federata, e cila, kur ka nevojë për të shitur bileta në ndeshjet miqësore, i nxjerr ato për publikun e gjerë në pikat e shitjes dhe bën reklamë “aman hajdeni merrni bileta”. Në të kundërt Duka izolohet si “Oso Kuka” dhe vetë FSHF synon “seleksionimin sipas kompjuterit”, ku biletat përfundojnë në duart e top-modeleve, politikanëve dhe drejtorëve të administratës, e publiku i gjerë e dashamirësit e shumtë të Kombëtares mbeten me gisht në gojë. Ky problem nuk është i ri, ka kohë që FSHF bën “gangsterin” me tifozët e vërtetë të futbollit, duke bërë “qoka” për ndeshjet e mëdha e me interes të lartë, gjë që ka ndodhur të paktën në ndeshjet me Serbinë e me skuadra të mëdha. Tifozët e vërtetë ftohen kur ka ndeshje me Andorrën, San Marinon apo dhe duele miqësore si ajo me Jordaninë.
Njoftimi i FSHF
FSHF njofton të gjithë tifozët dhe publikun e interesuar se për ndeshjen Shqipëri – Angli do të ndiqet e njëjta procedurë për biletat si në sfidën Shqipëri – Serbi. Ky vendim është marrë pas kërkesës së madhe dhe të jashtëzakonshme nga tifozët shqiptarë kudo për të siguruar një biletë në stadiumin “Air Albania” më 16 nëntor. FSHF është e angazhuar për të garantuar një proces të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë tifozët, prandaj edhe për këtë ndeshje do të hapet procesi i aplikimit për rezervimin e biletave. Si të aplikoni: – Hyni në llogarinë tuaj në platformën ebileta.al në rast se keni një llogari ekzistuese ose në rast se nuk keni një të tillë, regjistrohuni paraprakisht për të vijuar më tej. – Zgjidhni tribunën e dëshiruar në stadium. – Plotësoni të dhënat personale në formularin përkatës. * Lutemi të plotësoni saktë të dhënat sipas dokumentit tuaj të identifikimit, pasi hyrja në stadium do të bëhet me dokument identifikimi. * Çdo tifoz i interesuar do të ketë mundësinë për të aplikuar vetëm për 4 bileta. – Përfundoni me sukses aplikimin, për t’u bërë pjesë e procesit të përzgjedhjes përmes shortit. – Pas aplikimit, do të merrni një e-mail konfirmimi automatik që vërteton përfundimin me sukses të procesit të aplikimit. *Kujdes/ Ky email konfirmimi nuk nënkupton që keni siguruar biletat për ndeshjen. Procesi i përzgjedhjes: – Përmes shortit elektronik do të zhvillohet një përzgjedhje automatike dhe e rastësishme. – Të përzgjedhurit nga shorti do të njoftohen nëpërmjet një e-mail, ku do të gjejnë një link unik nëpërmjet të cilit mund të kryhet pagesa online. Ju do të keni vetëm 24 orë kohë për të kryer blerjen e biletave. Pas 24 orësh linku do të skadojë dhe ju duhet të bëni edhe një herë prej fillimit procedurën e aplikimit, më pas duhet të prisni në rast se do të përzgjidheni automatikisht ose jo. – Pas konfirmimit të pagesës, biletat elektronike do të dërgohen automatikisht në adresën e e-mailit tuaj.



































