Festival golash në “Arena Kombëtare”, Shqipëria e kthen në festë miqësoren me Jordaninë

0
104

Shqipëria korr një tjetër fitore në futboll, ku këtë herë mposhti në një miqësore përfaqësuesen e Jordanisë me shifrat 4-2. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Arena Kombëtare” e Tiranës. Edhe pse ishte një duel miqësor me një skuadër aziatike, stadium kishte një prani të konsiderueshme tifozësh, të cilët iu përgjigjën pozitivisht ftesës së skuadrës dhe të stafit pas fitores së madhe ndaj Serbisë të shtunën e kaluar, në kuadër të kualifikueseve të Botërorit. Trajneri Silvinjo e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Dajsinani në portë, kurse në mbrojtje u rreshtuan Mihaj, Balliu, Gjimshiti dhe Mitaj. Në mesfushë u pozicionuan Asllani, Bajrami dhe Shehu. Në sulm u rreshtuan Asani, Daku dhe Hoxha. Pra një modul taktik sulmues 4-3-3. Në pjesën e dytë Silvinjo aktivizoi edhe Hysajn, Brojën, Caken, Ramadanin, Gripshin dhe Alijin.

Pjesa e parë me të papritura

Në takimin e djeshëm nisja e ndeshjes ishte disi më e mirë për Jordaninë, e cila luajti shpejt sidomos me topin e parë. Në tërësi ishte një duel i fortë në mesfushë dhe luhej me aksione të shpejta dhe tërheqje po aq të tilla. Jodanezët shfrytëzuan më shumë kundërsulmin. Megjithatë, u desh të vinte minuta e 27-të që të zhbllokohej rezultati. Al-Rashdan shënoi për përfaqësuesen e Jordanisë, duke bërë që tanët të gjenden në disavantazh. Ky gol e zgjoi ekipin shqiptar, që nisi të sulmonte me më shumë furi, sidomos me Dakun në krahun e djathtë dhe Bajramin sa në qendër aq në krahë. Loja gjallërohet dhe ka impuls për të barazuar shifrat brenda pjesës së parë. Dhe goli vjen në minutën e 40-të, ku Bajrami në krahun e majtë të sulmit futet bukur në vijë fundore dhe fut topin paralelisht në zonën e portës, duke detyruar mbrojtësin Abualnadi ta dërgonte topin në portën e tij. Barazim 1-1 dhe me këto shifra mbyllet pjesa e parë.

Pjesa e dytë, spektakël kuqezi

Në pjesën e dytë Shqipëria bëri një spektakël në fushë, duke shënuar gola dhe duke dhënë një paraqitje vërtet të bukur. Broja ishte ai që shënoi golin e dytë në të 65’ pas një krosimi që i erdhi në zonë dhe që e administroi mjaft mirë duke kaluar edhe portierin.  Në minutën e 75-të ishte radha e Arbër Hoxhajt të shënojë një supergol me një goditje nga jashtë zonës. Në minutën e 79-të Broja bëhet altruist, duke i dhënë një asist Bajramit që gjithashtu e dërgon në rrjetë. Në minutën e 90-të, duke përfituar nga rënia e ritmit të lojës dhe vetëkënaqësisë që kishte mbërthyer ekipin kuqezi, Jordania gjen golin e dytë me anë të Oluan. Gjithsesi, Shqipëria e fiton këtë ndeshje në mënyrë përfundimtare me shifrat 4-2, duke dëshmuar se po kalon moment të mirë dhe që ky moment mund të zgjasë edhe në nëntor, në duelet me Andorrën dhe Anglinë, dy ndeshje që mund të na konfirmojnë jo vetëm në “play-off” por edhe mund të na japin optimizëm për një kualifikim historik në Kupën e Botës 2026. Shqipëria mbrëmë jo vetëm fitoi në shifra, por rifitoi dy lojtarë që mungonin disi prej një viti me klasin e tyre, sikurse janë Bajrami e Broja, që shënuan në këtë duel. Madje Bajrami ishte lojtari më i mirë i ndeshjes së djeshme. Silvinjo vijon t’i gëzohet ekipit. Për Arbër Hoxhën ishte goli i parë si kuqezi, kurse Hysaj theu rekordin e Lorik Canës me paraqitjet, duke regjistruar 94 ndeshje me Kombëtaren.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here