KQZ cakton afatet për zgjedhjet e pjesshme, propozon 8 ditë fushatë

0
17

Sipas projekt-akteve të përgatitura nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, fushata për zgjedhjet e pjesshme në gjashtë bashki të vendit pritet të nisë më 1 nëntor, duke u lënë kandidatëve vetëm 8 ditë kohë për zhvillimin e fushatës elektorale.

Zgjedhjet do të zhvillohen më 9 nëntor në bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat, sipas dekretit të Presidentit të Republikës Bajram Begaj. Ky dekret erdhi pak pasi kryeministri Edi Rama informoi zyrtarisht për krijimin e vakancave, edhe pse në disa raste këto vakanca kishin ndodhur prej muajsh.

Në Tiranë, procesi mbetet i kontestuar në aspektin ligjor. Erion Veliaj ka paditur në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij, duke e cilësuar atë si antikushtetues.

Ndërkohë, projekt-afatet e propozuara nga KQZ përcaktojnë edhe datat kyçe të procesit zgjedhor:

11 tetor – afati i fundit për regjistrimin e partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhje;

16 tetor – afati për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore;

19 tetor – afati për dorëzimin e dokumentacionit të kandidimit për individët që synojnë postin e kryetarit të bashkisë. Po ashtu, zyrat e Gjendjes Civile në bashkitë përkatëse duhet të hartojnë listat përfundimtare të zgjedhësve jo më vonë se data 6 tetor.

VENDIM                                                    

PËR

MIRATIMIN E DISA AFATEVE PROCEDURIALE QË LIDHEN ME ZGJEDHJET E PJESSHME PËR KRYETAR NË BASHKITË TIRANË, BERAT, TEPELENË, CËRRIK, MAT DHE VLORË, QË DO TË ZHVILLOHEN MË DATË 9 NËNTOR 2025

Në mbështetje të Dekretit të Presidentit nr. 350, datë 1.10.2025, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë”, të nenit 20, pika 1, shkronja “a”, nenit 6, nenit 29, pika 6, nenit 36, pika 2, nenit 59, nenit 64, nenit 65, nenit 67, pika 1, nenit 70 dhe nenit 94, pika 1 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisioni Rregullator

VENDOSI:

  1. Bashkitë Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, si dhe institucionet e tyre të varësisë, janë të detyruara të raportojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 25.10.2025 deri më datë 9.11.2025.

Të njëjtin detyrim kanë edhe institucionet publike qendrore, organet e tyre të varësisë dhe degët e tyre vendore, si dhe agjencitë dhe/ose ndërmarrjet shtetërore, për veprimtari me karakter publik, që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 25.10.2025 deri më 9.11.2025, në territorin e Bashkive Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, ose për to.

  1. Autoriteti i Mediave Audiovizive monitoron OSHMA-të për veprimtaritë me karakter publik të institucioneve publike të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, nga data 25.10.2025, nga ora 08:00-00:00, ose sipas rastit, deri në përfundimin e programit.
  2. Fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme vendore për Kryetar bashkie në Bashkitë Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, fillon më datë 11.2025.
  3. Zyra e Gjendjes Civile në këto bashki, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, hartojnë listat e zgjedhësve jo më vonë se data 6.10.2025. Brenda 48 (dyzet e tetë) orëve nga përfundimi i përditësimit, kryetari në detyrë i njësisë së qeverisjes vendore miraton dhe shpall listat e zgjedhësve, në përputhje me nenin 48 të Kodit Zgjedhor.
  4. Kryetarët e Bashkive në detyrë paraqesin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, listën e plotë të objekteve të qendrave të votimit që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj, jo më vonë se data 8.10.2025.
  5. Prefektët e Qarqeve paraqesin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, listën e plotë të objekteve brenda territorit të Qarkut që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj për Vendin e Numërimit të Votave, jo më vonë se data 8.10.2025.
  6. Kryetarët e Bashkive në detyrë të përcaktojnë vendet publike, në territorin e Bashkive Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, për afishimin nga subjektet zgjedhore të materialeve propagandistike, jo më vonë se data 13.10.2025.
  7. Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë/sekretar në KZAZ-të e Bashkive Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie, duhet të sjellin propozimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, jo më vonë se data 7.10.2025. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton përbërjen e KZAZ-së, jo më vonë se data 10.10.2025.
  8. Partitë politike, të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në KQV, duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ-të përkatëse, jo më vonë së data 20.10.2025. KZAZ-ja merr vendim për emërimin e anëtarëve të KQV-ve, jo më vonë se data 25.10.2025.
  9. Partitë politike, të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në GNV, duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ, jo më vonë së data 28.10.2025. KZAZ-ja merr vendim për emërimin e anëtarëve të GNV-ve, jo më vonë se data 30.10.2025.
  10. Partitë politike duhet të paraqesin kërkesën në KQZ, për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkitë Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, jo më vonë se data 11.10.2025. KQZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga dorëzimi. Partitë politike paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga kthimi për plotësim. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga ridërgimi i dokumentacionit.
  11. Komitetet Nismëtare duhet të paraqesin kërkesën për regjistrim në KQZ për bashkitë Tiranë, Vlorë dhe Berat, si dhe në KZAZ-në përkatëse për bashkitë Tepelenë, Cërrik dhe Mat, jo më vonë se data 11.10.2025. KQZ-ja ose sipas rastit KZAZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga dorëzimi. Komitetet Nismëtare paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga kthimi për plotësim. KQZ-ja ose sipas rastit KZAZ-ja miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga ridërgimi i dokumentacionit.
  12. Koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin në KQZ, kërkesën për regjistrimin si koalicion për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkitë Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, jo më vonë se data 16.10.2025. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesën për regjistrimin si koalicion, brenda 24 (njëzet e katër) orëve.
  13. Dokumentet e kandidimit paraqiten në KQZ për bashkitë Tiranë, Vlorë dhe Berat, si dhe në KZAZ për bashkitë Tepelenë, Cërrik dhe Mat, jo më vonë se data 19.10.2025. KQZ-ja ose sipas rastit KZAZ-ja bën verifikimin e tyre, jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga paraqitja, dhe në rast se vëren parregullsi, i kthen për plotësim. Dokumentet e plotësuara duhet të riparaqiten jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë. KQZ-ja ose sipas rastit KZAZ-ja merr vendim jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga riparaqitja e tyre.
  14. Paraqitja e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve shqiptarë bëhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve jo më vonë se data 25.10.2025 dhe për vëzhguesit e huaj bëhet jo më vonë se data 6.11.2025.
  15. Paraqitja e kërkesave për akreditim nga ana e subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhje bëhet në KZAZ jo më vonë se data 6.11.2025. Akreditimi i vëzhguesve bëhet jo më vonë se data 7.11.2025.
  1. Rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 3 (tre) ditëve të fundit para datës së zgjedhjeve, përfshirë edhe datën e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit.
  2. Ngarkohen administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera të përmendura në këtë vendim, për zbatimin e tij.
  3. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
  4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor, pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, brenda 5 (pesë) ditëve nga shpallja e tij.

Ilirjana NANO                      Kryetar

Arens ÇELA                          Anëtar

Dritan ÇAKA                        Anëtar

Helga VUKAJ                       Anëtar

Muharrem ÇAKAJ              Anëtar

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here