“Tërmeti politik që mund të shkaktojë Veliaj”, juristi tregon se çfarë do ndodhë pas ankimimit të tij në Kushtetuese

0
42

Erion Veliaj ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e shkarkimit të tij si kryebashkiak i Tiranës nga Këshilli i Ministrave. Ky hap i Veliajt tashmë bllokon automatikisht zgjedhjet e parakohshme për kryeqytetin deri në vendimin e gjykatës. Në ankimimin e dërguar në Kushtetuese, kryebashkiaku i shkarkuar i referohet nenit 62, i cili thekson se mungesa e tij në detyrë prej më shumë se tri muajsh nuk është për shkaqe që varen prej vullnetit të tij. Juristi Indrit Sefa tha dje në një media se Veliaj vijon të jetë kryetari i Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, procedura e ndjekur nga këshilli bashkiak është në kundërshtim me ligjin, pasi Veliajt duhet t’i ishte dhënë mundësia për t’u dëgjuar. Ai u shpreh gjithashtu se kryebashkiaku mund të ruajë kontrollin e Bashkisë duke emëruar nënkryetarët e tij.

Intervista e plotë:

-Në çfarë pozite ndodhet mbrojtja e Veliajt me kundërshtimin që ka bërë sot?

Në momentin që kryetari i bashkisë e ankimon vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij, atëherë kjo vendimmarrje pezullohet. Pra do të thotë që nuk ka asnjë efekt. Erion Veliaj vazhdon të jetë kryetari i bashkisë në detyrë deri në një vendimmarrje përfundimtare në Gjykatën Kushtetuese. Megjithëse nga ana e Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave u përpoq të bëhej një taktikë ligjore, juridike, përsëri dispozita është e qartë. Pastaj ngelet në dorë të Presidentit. Nëse Presidenti nuk e sheh ligjin, mbyll sytë, atëherë jemi në një situatë anormale ligjore dhe të paprecedentë.

-Veliaj dhe mbrojtja e tij, në vijimësi gjatë këtyre muajve, kanë nënvizuar se janë bërë shkelje ndaj tij. Cili do të ishte sipas jush pretendimi më domethënës i mbrojtjes në gjithë këta muaj?

Procedura e ndjekur nga këshilli bashkiak është në kundërshtim me ligjin. E drejta politike dhe e drejta për t’u zgjedhur janë të qarta. Nuk mund të shkarkosh kryetarin e bashkisë pa e lënë të dëgjohet. Duhet dhënë mundësia për t’u dëgjuar personit që po merret një vendim për shkarkimin e tij.

-Z.Veliaj dhe mbrojtja e tij po duket se e kanë të qartë që kjo çështje do të përfundojë në Strasburg. Cilat etapa mbeten ende për t’u shteruar brenda sistemit gjyqësor në Shqipëri, përpara se çështja të jetë në Strasburg?

Presidenti, në këndvështrimin tim, do dekretojë datën e zgjedhjeve, megjithëse ka një ankim kushtetues. Z. Veliaj do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës do të kryhen brenda 45 ditëve dhe do të kemi kryetarin e ri të Tiranës. Mendoj se Veliaj do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, gjykata do të konstatojë shkeljen e të drejtave në lidhje me shkarkimin e Veliajt. Por nuk do të zhbëjë dot zgjedhjet e reja. Veliaj fiton të drejtën që ka pretenduar gjatë gjithë kësaj kohe, që do të jetë një e drejtë politike dhe ligjore që thotë se më kanë shkarkuar pa të drejtë, ku kjo mund të shërbejë edhe në procesin penal. Ndërsa Rama do të heqë këtë pengesë të madhe që ka për të bërë zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës. Veliaj do të vazhdojë betejën e tij për çështjen penale. Në situatën që ndodhet, nuk e drejton dot Bashkinë e Tiranës. Nëse ai bën një betejë kundër mazhorancës dhe partisë së tij, ai do të marrë vendimin e duhur politik, dhe një nga këto vendime është të drejtojë Bashkinë e Tiranës deri në momentin që është kryetar. Të shkarkonte nënkryetarët e Edi Ramës dhe t’i emëronte nënkryetarët e tij, për të vazhduar vizionin e tij politik në drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here