Nga Julia Vrapi
Zbulime të reja arkeologjike në parkun e Amantias. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar murin rrethues të qytetit të poshtëm të Amantias, i cili mendohet se është ndërtuar në shekullin III para Krishtit. Parku arkeologjik i Amantias është një nga destinacionet kryesore turistike për qarkun e Vlorës dhe është bërë objekt studimi dhe gërmimi arkeologjik për shumë vite. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja shprehet se muaji gusht dhe fillimi i muajt shtator, sollën zbulime të reja arkeologjike, si dhe projekte restaurimi, në parkun arkeologjik të Amantias. “Gjatë gërmimeve arkeologjike, u zbulua një element i panjohur më parë për arkeologët: Muri rrethues i qytetit të poshtëm të Amantias, i cili mendohet se është ndërtuar në shek. III p.Kr. dhe shkatërruar në shek. VI m.Kr. Ky fortifikim i fuqishëm, hedh dritë mbi organizimin urbanistik dhe publik të qytetit Ilir, duke i shtuar një kapitull të ri historisë së kësaj qendre antike”, shprehet ministri Blendi Gonxhja në rrjete sociale, që ka ndarë dhe foto të gërmimeve arkeologjike në park. Ministri Gonxhja vijon më tej se veç këtij zbulimi, u realizuan edhe ndërhyrje restauruese të domosdoshme, për mbrojtjen e varreve monumentale, si dhe punime të tjera konservuese, mbi monumentet e evidentuara vitet e fundit, të cilat cënoheshin nga agjentët klimatik, si ngricat, shiu, etj.
Pasurim i peizazhit arkeologjik të parkut
Parku arkeologjik dhe qyteti ilir i Amantias në Shqipëri shërben si një dëshmi e pasur e historisë. Ministri Blendi Gonxhja shprehet se zbulimet e reja arkeologjike, si muri rrethues i qytetit të poshtëm të Amantias dhe elementë të tjerë të organizimit urbanistik, së bashku me ndërhyrjet restauruese në varret monumentale dhe monumentet e tjera të evidentuara, po pasurojnë vazhdimisht peizazhin arkeologjik të parkut. “Këto gërmime dhe restaurime jo vetëm që sjellin fakte të reja studimi mbi jetën e qytetit ilir, por edhe garantojnë ruajtjen dhe prezantimin e tyre për vizitorët e sotëm dhe brezat që vijnë”, shprehet ministri Gonxhja. Në vijim të zbulimeve arkeologjike edhe vjet gjatë verës një ekip arkeologësh dhe restauratorësh të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Vlorë u angazhuan në gërmime arkeologjike dhe zbulimin e një varri tjetër monumental në hyrje të territorit të parkut arkeologjik të Amantias. Sipas DRTK Vlorë, ekzistenca e këtij varri, është pretenduar gjatë gërmimeve arkeologjike të shpëtimit të realizuara nga kjo drejtori dhe D.SH.A / Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në vitin 2020, ku në atë vit, u zbulua varri i parë monumental në atë territor. Amantia u themelua në fund të shekullit V para Krishtit. Ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure. Në shekullin e III-të para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit. Në hyrje të parkut arkeologjik të Amantias mund të vizitohen grup varresh monumentale, me arkitekturë të veçantë dhe histori mijëra vjeçare.