Serbia kërkoi nga UEFA dhe FSHF që ta spostonte ndeshjen me Shqipërinë në stadiumin e Leskovcit për ta menaxhuar më kollaj dhe marrësit e kërkesës e miratuan atë. Por serbët ndodhen nën presion, pasi krahas kushteve të sigurosh që duhet të plotësojnë, janë nën presion edhe të rezultatit të takimit. Me afrimin e ditëve pala serbe ka marrë lajme jo të mira për gjendjen e lojtarëve, si pasojë e dëmtimeve të shumta. Edhe nga tanët ka pasur dëmtime sikurse është rasti i Kumbullës, por ka dhe lojtarë në superformë si mesfushori Julian Shehu.
Serbët kanë dëmtime
Problemet e përfaqësueses serbe ishin të mëdha edhe përpara këtij lajmi. Gjithsesi, Serbia duket se po merr goditje njërën pas tjetrës sepse nga Gjermania njoftohet për dëmtimin e një tjetër lojtari të kombëtares së këtij vendi. Ky është Kosta Nedeljkoviç, mbrojtës i rëndësishëm ekipit, i cili pësoi lëndim gjatë stërvitjes me Leipzigun dhe sipas revistës “Kiker” do të mungojë disa javë. Koha duket tepër e shkurtër për riaftësim siç e thekson edhe media serbe “Sport Arena”. Ndeshja Serbi – Shqipëri luhet në 11 tetor, pra mbeten edhe vetëm 16 ditë, që do të thotë pak më shumë se dy javë. Trajneri Dragan Stojkoviç kishte që më parë dy mungesa të sigurta, dhe kjo për shkak kartonësh. Kapiteni Milenkoviç mori karton të kuq në duelin e humbur me shifrat 5-0 në Beograd ndaj Anglisë, pra nuk mund të luajë, dhe po ashtu i pezulluar është mesfushori që luan në Premierligën angleze me Notinghamin, Sasha Lukiç.
Julian Shehu, një nga kuqezinjtë më në formë të momentit
Kombëtarja ka gjetur një mesfushor energjik muajt e fundit. Bëhet fjalë për Julian Shehun, i cili luan në Poloni dhe ka jo vetëm minutazh të rregullt si titullar, por me gola e asiste. Në Kombëtare atij i ëhstë besuar ndeshjet e fundit një vend titullari në mesfushë nga trajneri Silvinjo. Ndërkohë, së fundmi mesfushori kuqezi është kthyer në protagonistin kryesor të skuadrës së Vidzev Lodz jo vetëm për lojën në mesfushë, por edhe me faktin se po shënon me rregullsi mbresëlënëse. Ai ka shënuar tre gola në këtë edicion në kampionatin polak, ndërsa sot ka lënë shenjën e tij edhe në Kupën e Polonisë. Në ndeshjen në transfertë përballë Termalica, trajneri kishte bërë rotacion dhe mbajti Shehun në stol në fillimin e duelit. Por ai e aktivizoi në pjesën e dytë duke parë se Vidzev po vuante në krijimin e aksioneve. Për më tepër, vendasit udhëhoqën dy herë ndeshjen dhe ishin duke siguruar kualifikimin. Por në minutën e parë shtesë të takimit, Shehu u shfaq në vendin e duhur në momentin e duhur dhe shënoi golin e barazimit 2-2, duke siguruar që ndeshja të paktën të shkonte me shtesa. Ky ishte goli i parë i shënuar nga Shehu në Kupën e Polonisë që kur është transferuar te Vidzev Lodz. Mesfushori i Kombëtares shqiptare nuk u mjaftua me kaq, teksa shënoi penalltinë e pestë, që përkoi me atë të fitores, duke i dhuruar kështu kualifikimin dramatik skuadrës së Vidzev Lodz.