Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, ka vazhduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku ka shprehur shqetësimin e tij për mënyrën si po trajtohet ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Rubin është shprehur se nuk e kupton arsyen pse Thaçi vazhdon të mbahet në paraburgim, pavarësisht se është vetëdorëzuar dhe ka bashkëpunuar me drejtësinë.
“Më habit fakti që janë mbajtur kaq gjatë në paraburgim, kur dihet që janë dorëzuar vullnetarisht. Në rastin e Hashim Thaçit, nuk arrij të kuptoj pse ende mbahet. Sipas meje, kjo është e gabuar dhe nuk përfaqëson drejtësi. Kam takuar ekipin e mbrojtjes në Uashington dhe kam kaluar pesë vite duke pritur që të nisë ky proces. Kam pyetur juristë dhe ekspertë – të gjithë më kanë thënë se kjo nuk është normale. Është një trajtim i pazakontë për një burrë shteti që ka bashkëpunuar”, ka deklaruar Rubin.
Gjatë dëshmisë së tij, ai është pyetur nga prokuroria edhe për një artikull të publikuar në Neë York Times, ku pretendohej se Thaçi, së bashku me Azem Sylën dhe Xhavit Halitin, kanë dhënë urdhër për vrasjen e disa politikanëve. Rubin u përgjigj se nuk ka asnjë informacion që mbështet këto pretendime.
“Nuk kemi asnjë të dhënë që tregon se ka pasur veprime të tilla – as për vrasje, as për urdhra ekzekutimi të dhëna nga lidershipi. Është shumë e vështirë të komentosh mbi pretendime të cilat nuk mbështeten nga prova konkrete,” theksoi ai. Rubin e mbylli deklaratën e tij duke nënvizuar se mungesa e transparencës dhe vonesat në proces janë shqetësuese, veçanërisht kur bëhet fjalë për një lider që është dorëzuar me vullnet të lirë.