Lojtarët e përfaqësueses tonë po paraqiten mirë me skuadrat e tyre në Europë e një pjesë marrin rol protagonisti, sikurse bëri dyshja Asllani Isimajli në radhët Torinos, që fituan ndaj Romës në transfertë 1-0. Nga ana tjetër, Broja luajti vetëm pak minuta në fund të ndeshjes që Bërnli e humbi me Liverpulin, kurse në Championship po spikat sulmuesi Anis Mehmeti, protagonist me Bristol Citin. Ndërsa në Gjermani ka një numër të madh talentesh shqiptare, por që nuk luajnë për Shqipërinë.
Ismajli e Asllani protagonist e me notë të lartë
Torino ka marrë një fitore të madhe në transfertë ndaj Romës, në përballjen e vlefshme për javën e tretë të Serie A, duke triumfuar me rezultatin minimal 0-1 në “Olimpico”. Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 59-të nga Simeone, duke i dhënë Torinos tre pikë me shumë vlerë ndaj një rivali të fortë. Në këtë ndeshje, dy yjet e Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani dhe Ardian Ismajli, ishin titullarë për miqtë. Për mbrojtësin Ardian Ismajli, kjo ishte ndeshja e parë si titullar me fanellën e Torinos, pasi dy sfidat e para të sezonit i humbi për shkak dëmtimi. 28-vjeçari u vendos në qendër të mbrojtjes dhe dha sinjale pozitive, edhe pse në minutën e 38-të krijoi shqetësim në pankinën e Torinos, teksa u shtri në fushë dhe kërkoi ndihmën e stafit mjekësor. Pas ndërhyrjes së shpejtë, Ismajli arriti të rikthehej në fushë dhe e mbylli pjesën e parë, që përfundoi pa gola. Ndërkohë, Kristjan Asllani vazhdoi të konfirmojë formën e tij të mirë, duke zhvilluar 80 minuta solide në mesfushë. Regjisori kuqezi po tregon gjithnjë e më shumë siguri në dirigjimin e lojës dhe duket se ka fituar besimin e trajnerit. Fitorja në “Olimpico” ndaj Romës i jep Torinos një shtysë të madhe në këtë fillim sezoni, sidomos duke pasur parasysh se luante përballë një ekipi të ndërtuar për zonën Champions.
Notat e dy lojtarëve shqiptarë
Dhe të dy ishin ndër futbollistët më të mirë në fushë, ku përtej faktit që morën nga një karton të verdhë, falë statistikave të përpiluara nga “SofaScore”, u vlerësuan me notë të lartë. Ismajli mori notën 7,3 për paraqitjen e tij në prapavijë, ku fitoi 5 nga 7 duelet, spastroi 9 herë topin dhe dha 16 pasime të sakta nga 17 të tentuara. Edhe Asllani u vlerësua me notën 7,3 për ndeshjen e tij në të cilën luajti 80 minuta. Ai fitoi 3 nga 5 duelet e tij në mesfushë, por spikati me 5 topa të gjatë të saktë, ndërsa dërgoi saktësisht në destinacion 20 nga 23 pasimet e tentuara në këtë ndeshje.
Talenti/ Anis Mehmeti shënon sërish në Championship anglez
Anis Mehmeti shkëlqeu dje me Bristol Sitin, që fitoi 0-3 në transfertën e Shefilld Junajtid. Sulmuesi shqiptar shënoi gol si dhe asistoi në Championship. Për paraqitjen e djeshme, Mehmeti është më i vlerësuari i “Sofascore”. Nota 8 është edhe më e larta e ndeshjes dhe për të nuk është hera e parë këtë sezon, që qëndron mbi të tjerët. Mehmeti e tentoi portën pesë herë, ndërsa një herë goditi edhe shtyllën. Dy prej pasimeve të tij ishin kyçe në ndeshje. Padyshim që ky fillim sezoni e sheh si protagonist te Bristol Siti. E njëjta situatë ishte edhe vjet në Championship me sulmuesin shqiptar.