I konsideruar krahu i djathtë i Ibrahim Licit, Barush Bregu, siguroi të gjitha mjetet e nevojshme për tu realizuar vrasja e njeriut të Bajrave, Erogen Brajoviç mëngjesin e 8 shtatorit, në një lokal pranë bashkisë së Shkodrës.
Zbulimi i tij nga policia, e cila e shpalli në kërkim, çon edhe më shumë hetuesit drejt pistës së përplasjes mes dy fiseve në armiqësi prej vitesh me njëra-tjetrën në Shkodër, Bajri-Lici, konflikt që ka prodhuar një sërë të vrarësh. Barush Bregu 39- vjeçar, i cili e ka ndërruar emrin nga Bajram që e ka pasur deri në vitin 2012, sipas policisë, ka siguruar armët dhe mjetet e nevojshme për atentatin, bashkë me një të mitur, një 17-vjeçar, gjithashtu i identifikuar dhe shpallur në kërkim. T
ë dy bashkëpunëtorët e Gilës akuzohen për sigurim të kushteve dhe mjeteve për vrasje, armëmbajtje pa leje dhe vjedhje. Policia e Shkodrës zbuloi edhe bazën e tyre kriminale, ku fshihnin armatimet, dronë të shumtë, municione e maska të cilat do të analizohen në detaje në Laboratorin e Policisë Shkencore, sidomos armët. Shtëpia e braktisur në Kiras, lagjen ku banojnë Licët, rezultoi të jetë e një zonje që jeton në Turqi, hallës së Ibrahim Licit, të shumërkuarit nga policia. Element që përforcon edhe më shumë lidhjen e Barush Bregut me grupin e Licëve për të vrarë Erogen Brajovic, ndër të paktët e mbetur jashtë qelive të burgut të grupit kriminal të Dobraçit, Bajrajve.
Por, kush është Barush Bregu, bashkëpunëtori i vrasësit që u shpall në kërkim?
Në maj të vitit 2019 Forcat Renean e arrestuan në një banesë me qira te Komuna e Parisit në Tiranë në një operacion të bujshëm pasi e kishin vënë në vëzhgim prej disa kohësh. Barush Bregu ishte në kërkim për disa armë që i ishin gjetur në banesën e tij në Shkodër në 2018-ën. Në 2016-ën rezulton të jetë dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje. Në atë kohë, blutë e konsideronin të skeduar si pjesëtar i një grupi kriminal dhe i dyshuar edhe si autor për ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura në Shkodër, në vitin 2019 dhe më herët. Por ekzekutori që grupi zgjodhi për të eliminuar njeriun e bandës së Bajrave, Ragip Gila, dështoi të vrasë shënjestrën, të cilën e plagosi me 4 plumba.
Nga breshëria e armës automatike Scorpions, 29-vjeçari la viktima shoferin e Brajovic, Liridon Kraja, mikun Armando Pali dhe plagosi lehtë kamerieren e lokalit. Policia e Shkodrës publikoi pamje të reja nga arrestimi i të dyshuarit. Pasi iu afrua lokalit me një motor pa targë dhe numër shasie që e la aty të ndezur, ai grabiti nën kërcënimin e armës një makinë të cilën e braktisi pasi u aksidentua dhe tentoi të ikë në këmbë drejt lumit Kir. Aty forcat blu e arrestuan. Gila është zhveshur nga skafandra që mbante në kokë si në këtë foto që Report Tv e siguroi pas krimit. Por në kokë ka çorape të holla grash. Në duar nuk mban as armën automatike, por në trup i duket jeleku antiplumb të cilin me gjasë e ka veshur duke iu trembur një përplasje me armë.
Përveç automatikut që derdhi ndaj viktimave, Ragip Gila, kishte edhe një pistoletë me fishekë në fole, të cilën policia ia sekuestroi, e fatmirësisht nuk u përdor kundër tyre teksa e ndiqnin me vrap për ta arrestuar. Në një moment shfaqet edhe kryepolici i Shkodrës, Gentian Berberi, i cili me radio policie në dorë, komunikon me agresorin.
Me vete, efektivët i gjetën edhe një shishe me benzinë, e cila dyshohet se do të përdorej për djegien e automjetit gjatë arratisjes. Me sjelljen e një amatori, që si rrallë ndonjëherë në atentate kriminale të tilla i kushtoi prangosjen në një kohë të shpejtë, Ragip Lila, i dënuar në liri me kusht, refuzoi të flasë gjatë në polici, ku deklaroi se shënjestër kishte vetëm Erogen Brajovic, ndërsa të tjerët që qëlloi nuk i njihte. Ai pretendoi se disa muaj më parë, Brajoviç i ka ndërprerë rrugën me një automjet të blinduar dhe e ka ofenduar. Policia po heton pistën e një vrasjeje të porositur me pagesë. Por vetë shënjestra i cili po merr trajtim të specializuar në spitalin e Traumës i pyetur nga oficerët e policisë kriminale të Shkodrës deklaroi të kundërtën se nuk e njeh të dyshuarin. “Nuk kam konflikte.Jam biznesmen, qytetar i ndershëm dhe kam kontribute në komunitet”, mësohet të jetë shprehur nga shtrati i spitalit në Tiranë Brajoviç.
Njoftimi i Policisë
Ndërkohë Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim dy persona që dyshohet se i kanë siguruar armët autorit të ngjarjes së masakrës së Shkodrës, njëri prej tyre i mitur. Vijojnë veprimet hetimore dhe kontrollet, me qëllim dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në një lokal, në lagjen “Qemal Stafa”, ku shtetasi R. G. qëlloi me armë zjarri dhe si pasojë humbën jetën 2 shtetas dhe u plagosën 2 të tjerë. Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas që dyshohet se kishin siguruar armatim, mjete dhe pajisje të tjera për kryerjen e krimeve të rënda ndaj jetës. Zbulohet një banesë në lagjen “Guerrile”, që përdorej nga 2 shtetasit në kërkim, si bazë për aktivitete kriminale. Sekuestrohen 7 armë zjarri, 45 kapsolla detonatore dhe municion luftarak.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 08:50, në një lokal, në lagjen “Qemal Stafa”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër:-arrestuan në flagrancë shtetasin R. G., 28 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës”,”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”. U sekuestruan: 2 armë zjarri (1 automatik dhe 1 pistoletë me fishek në fole), 1 skafandër, 1 maskë, 1 jelek antiplumb dhe 1 shishe 1.5 l e mbushur me lëndë djegëse, që iu gjetën shtetasit R. G., i cili u vu në pranga nga shërbimet e Policisë, pas ngjarjes; automjeti që ky shtetas vodhi nën kërcënimin e armës, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe motomjeti pa targë dhe pa numër shasie, që ai la në vendin e ngjarjes. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit B. B. alias B. B., 39 vjeç, dhe një 17-vjeçar, për veprat penale ”Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.
Gjatë kontrollit në banesën e një shtetaseje (e cila jeton jashtë vendit), të cilën këtë shtetas e përdornin si bazë për këtë aktivitete kriminale, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar: 1 armë zjarri automatike dhe 6 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni luftarak, 45 kapsolla detonatore elektrike, një automjet tip “Audi” me targa të vjedhura në qytetin e Lezhës, 5 dronë të madhësive të ndryshme, pajisje shtesë për dronë, 1 laptop dhe 5 aparate fotografike. Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e veprimtarive kriminale të tyre. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.
Reagon Brajoviç
Nga ana tjetër, Erogen Brajoviç, një ndër të plagosurit e atentatit të mëngjesit së 8 shtatorit në Shkodër, dhe i dyshuar si objektivi i këtij sulmi me armë zjarri, ka reaguar për mediat nga spitali, ku ndodhet ende i shtruar, për shkak të 4 plagëve të marra nga breshëria e plumbave që u zbraz mbi të dhe 2 miqtë e tij në lokalin pranë Bashkisë, të cilët humbën jetën.
Në deklaratën e tij, Erogon Brajoviç kërkon që emri i tij të mos atashohet me grupe kriminale dhe emra të caktuar të botës së krimit, dhe thekson se jeta e tij është e ndarë mes sipërmarrjes dhe sportit. “Unë Erogen Millan Vaso (Brajovic) e bej kete reagim per mediat dhe opinionin publik. Ne keto momente te veshtira jo vetem per mua i shpreh ngushellimet e ndjera familjareve te 2 miqve te mi qe ishim sebashku sot ne mengjes ne nje kafe ne qender te Shkodres.
Ata ishin qytetare model te Shkodres, familjare te respektuar nga gjithe komuniteti. Dora e pabesise te nje vrasesi i shkeputi sot nga jeta teksa ishim sebashku dhe per mua personalisht eshte dhimbje e rende dhe plage qe nuk mbyllet! Kjofshin ne paqe me zotin Armando dhe Geridoni! Zoti ju dhente force familjeve te tyre! Gjithashtu i uroj sherim te shpejte vajzes te plagosur ne kete ngjarje. Distancohem plotesisht nga informacione qe lidhin personin tim me emra dhe grupe te caktuara ne Shkoder. Jam sipermarres ne disa biznese, nje pjese trasheguar nga babai im gjithashtu ai sipermarres deri ne fund te jetes, ish-futbollist i Shkodres dhe kombetares shqiptare.
Une kam qene per shkak edhe te tradites familjare, ish-futbollist i ekipit te Vllaznise, ish-President i klubit te futbollit Terbuni te Pukes. Familja ime ka patur nje histori persekutimi politik para viteve ‘90, por dhe vite me pas per shkak se ka perfaqesuar komunitetin malazez ne Qarkun e Shkodres. Per interesa te ketij komuniteti dhe Shkodres kam sherbyer me korrektesi per disa vite anetar i keshillit bashkiak te qytetit tim ashtu sikurse kishte sherbyer njeri prej miqve te mi te afert qe humbi jeten sot. Jam informuar ne spital qe autori eshte ndaluar dhe shpresoj te zbardhen sa me shpejt motivet e ketij akti te rende tragjik! Sa per lidhje te tjera qe aludohen ne media sqaroj se duhen lene institucionet e ligjit te trajtojne keto ceshtje”, është shprehur Erogeni.