Kosova regjistroi mbrëmjen e së hënës një prej fitoreve më të bujshme e spektaklare në rrugëtimin e saj në garat zyrtare ndërkombëtare. Mposhti në Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri”, Suedinë me shifrat 2-0, duke marrë një trepikësh që mund ta mbajë në vallen e kualifikimit për në Kupën e Botës të vitit 2026. Në fakt, ishte një 90 minutësh që ndryshoi çdo gjë rreth përfaqësueses së Kosovës në futboll. Sikurse raportojnë analistët kosovarë, dëshpërimi i madh u kthye në shpresë të madhe. Pos fitores ishte edhe paraqitja, e sidomos lufta në fushë, që dëshpërimin përnjëherë e ktheu në shpresë. Shpresë për të arritur gjë të madhe në këtë cikël kualifikues për Botërorin që vitin tjetër mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada. 12 raste të krijuara për dallim nga 14 sa i kishte Suedia e mbushur me yje të Premier Leagues. Disa prej rasteve të parealizuara, shumë të mira. Sidomos ai i minutave të fundit, kur Florent Muslija ishte i vetëm përballë portierit të Suedisë. Bindja është që fitorja ka mundur të jetë edhe më e thellë. Paraqitja në fushë dhe rastet e krijuara e japin një mendim të tillë.
Te Kosova “yjet” nuk bëjnë punë, “punëtorët” e stolit dalin heronj
Pas fitores, pakkush e kishte mendjen te mungesat e shumta të Kosovës. Mungoi thuajse gjysma e ekipit që vlerësohet “startues”. Megjithatë, pas suksesit ndaj Suedisë vështirë mund të thuhet se ata që munguan janë më të rëndësishëm se ata që luajtën. Të paktën për atë që shfaqin me fanellën e Kosovës, e jo nivelin e klubeve ku luajnë. Amir Rrahmani, Milot Rashica, Edon Zhegrova, Florent Hadërgjonaj, Emir Sahiti ishin mungesat në ndeshjen e së hënës mbrëma. Disa për shkak të lëndimeve e disa për arsye të pashpjegueshme. Por si rrallë herë, vëmendja ishin tek ata që luanin e jo tek ata që mungonin. Mbrojtja me pesë lojtarë funksionoi. Fidan Aliti, Lumbardh Dellova e Ilir Krasniqi ishin në qendër. Dion Gallapeni e Mërgim Vojvoda në krahë. Para tyre dyshja e Bundesligës, Elvis Rexhbeçaj e Leon Avdullahu. Në mesfushë, më i avancuar, Florent Muslija. Ndërkohë në sulm i pazëvendësueshmi, Vedat Muriqi dhe përkrah tij Albion Rrahmani. Në vend të Krasniqit, po në formacionin me pesë mbrojtës, është dashur të startojë Baton Zabërgja. Por ai u lëndua gjatë ngrohjes dhe Krasniqi fitoi rastin për të dëshmuar se është i vlefshëm për Kosovën. Një vrapim në kundërsulm i Elvis Rexhbeçajt solli golin e parë, ndonëse me pak fat. Një tjetër kundërsulm, i ekzekutuar nga Albion Rrahmani, solli supergolin e Vedat Muriqit. Mbrojtja me pesë lojtarë ishte efikase. Yjet e Suedisë nuk është se lanë ndonjë gjurmë në fushën e stadiumit që mban emrin e legjendës Vokrri. Muriqi është tjetër legjendë e futbollit të Kosovës. 32 golat në 62 paraqitje lejojnë që të vlerësohet i tillë. Nëse mbahet kjo pozitë deri në fund, pra edhe pas katër xhirove, për Kosovën do të ishte sukses i madh. Do të sigurohej plejofi i kualifikimeve për Botëror. Siç tha lideri i përfaqësueses, Muriqi, shumë do të varet nga ndeshja e 10 tetorit me Slloveninë.