Kategoria Superiore është ndërprerë për momentin, për shkak të angazhimeve të skuadrës kombëtare në kualifikueset e Botërorit, e rrjedhimisht java e tretë do të luhet fundjavën e ardhshme. Ndërkohë, klubet i vijojnë përgatitjet e tyre, me shumë forcë madje, por nuk kanë munguar edhe lëvizjet e orëve të fundit të merkatos. Nga ana tjetër, Komisioni i Ligave dhe Garave ka përcaktuar kalendarin e ndeshjeve të “Abissnet Superiore” për katër javët e ardhshme, nga java e 3-të deri në të 6-ën. Java e tretë do të zhvillohet të shtunën dhe të dielën, më 13 dhe 14 shtator. Edhe java e katërt dhe e pestë do të luhen gjatë fundjavës, të shtunën dhe të dielën. Ndërsa java e gjashtë do të ndahet në tre ditë, duke nisur të premten më 3 tetor, me derbin e kryeqytetit Partizani – Tirana, ndërsa ndeshjet e tjera do të zhvillohen të shtunën dhe të dielën.
Vllaznia gati të bëjë kthesë që në duelin me Partizanin
Vllaznia mezi pret të zbresin në fushë lojtarët Lirim Kastrati dhe Sherif Kallaku. Të dy futbollistët cilësohen si dy prej afrimeve më “big” të ekipeve shqiptare në këtë merkato verore. Me dyshen që u afrua në radhët e 9 herë kampionëve të vendit tonë në dy javët e fundit të merkatos. Ku dyshja kishte kohë që nuk ishin pjesë e seancave stërvitore dhe patjetër nuk ishin në formën e tyre më të mirë fizike. Ky pushim i kampionatit, patjetër, që do të shërbejë shumë për rikuperimin e plotë fizik për Kastratin dhe Kallakun. Të cilët dhanë “shkëndijat” e para në ndeshjen e fundit të humbur 3-1 ndaj Dinamos. Ku, përveç një traverse të goditur nga Kallaku dhe një shtylle të goditur nga Kastrati ndaj bluve, edhe ritmi i dyshes ishte ndryshe nga ai i paraqitur në ndeshjen e parë të kampionatit kundër Egnatias.
Pavarësisht se minutat nuk ishin të shumta për asnjërin dhe ende nuk mund të jepet një “mendim” përfundimtar për formën fizike të Kallakut dhe Kastratit. Pasi për cilësitë e tyre sportive ka pak dyshime, me Vllazninë dhe trajnerin Martini që kanë shpresa të mëdha se dyshja mund të jenë ata që do të udhëheqin kuqeblutë drejt sukseseve. Po ashtu në seancat e fundit stërvitore të zhvilluara gjatë kësaj jave, si fantazisti ashtu edhe sulmuesi nga Kosova janë parë në një formë shumë të mirë e duke bërë diferencën mes shokëve të skuadrës. Në kthimin e kampionatit fundjavën që vjen kundër Partizanit, ka një probabilitet të madh që si Kastrati ashtu edhe Kallaku të jenë në fushë kundër “Demave”. Duke u prezantuar kështu si titullarë me fanellën kuqeblu, pavarësisht se për një vendim të tillë duhet të presim ende edhe disa ditë të tjera.