Në raportin e bërë publik nga Departamenti Amerikan i Shtetit, evidentohet se veprimet e ish-agjentit Charles McGonigal kanë njollosur vlerat thelbësore të FBI-së si integriteti, përgjegjshmëria dhe lidershipi që pritet nga çdo punonjës i FBI-së.
“Përmes skemës së tij, McGonigal ka dëmtuar me qëllim një çështje penale të rëndësishme, ka shkelur besimin publik dhe ka kompromentuar integritetin e FBI-së”, thuhet ndër të tjera në konkluzionet e këtij raporti.
Po ashtu, theksohet se Charles McGonigal nuk raportoi për vizitat e tij në Shqipëri, duke i fshehur këto udhëtime.
Sipas aktakuzës, McGonigal raportoi një udhëtim “jozyrtar” të ardhshëm në Shqipëri në shtator 2017, por nuk arriti të identifikonte shoqëruesin e tij të udhëtimit ose se kush do të paguante për akomodimin dhe qëndrimin e tij, ose se ai do të udhëtonte edhe për në Kosovë.
Pas udhëtimit të shtatorit 2017, McGonigal paraqiti një formular informimi për udhëtimet e tij jashtë vendit, në të cilat ai nuk kishte zbuluar se ishte takuar me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ose me një politikan kosovar.
“Lidhur me udhëtimin e nëntorit 2017, McGonigal raportoi një udhëtim “zyrtar” të ardhshëm në Vienë të Austrisë, por nuk tregoi se do të udhëtonte edhe për në Shqipëri, kush ishte shoqëruesi i tij i udhëtimit, kush do të paguante për akomodimin dhe qëndrimin e tij, ose kontaktet e tij të parashikuara. Pas udhëtimit të nëntorit 2017, McGonigal paraqiti një formular për raportimin e udhëtimit jashtë vendit, ku nuk zbulonte për udhëtimet në Shqipëri ose se u takua Dorian Duçkën dhe Kryeministrin e Shqipërisë”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Drejtësisë.
Charles McGonigal u dënua me 28 muaj burgim në shkurt të vitit 2024 nga Gjykata Federale e Uashingtonit, për 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Neza dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë me Kryeministrin Rama.