Presidenti amerikan, Donald Trump, publikoi të martën pamje të ushtrisë së SHBA-ve duke ndërmarrë një operacion ushtarak në jug të Karaibeve, kundër një anijeje që, sipas tij, transportonte lëndë narkotike nga Venezuela. Trump deklaroi se mjeti detar ishte në kontrollin e grupit kriminal Tren de Aragua (TDA) dhe se gjatë sulmit, 11 persona të cilët ai i cilësoi si terroristë u eliminuan nga forcat amerikane. Ky aksion përfaqëson një nga ndërhyrjet e rralla të ushtrisë amerikane në këtë rajon.
Sipas Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Tren de Aragua, një grup me origjinë nga Venezuela, është shpallur organizatë e huaj terroriste. Ky zhvillim ndodh në kohën kur SHBA ka shtuar praninë e saj detare pranë brigjeve të Venezuelës, si pjesë e përpjekjeve për të goditur rrjetet e trafikimit të drogës në Amerikën Latine. Deri tani, nuk ka pasur sinjale për ndonjë operacion tokësor.
Në reagim ndaj kësaj ngjarjeje, presidenti venezuelian Nicolás Maduro urdhëroi vendosjen e trupave përgjatë kufirit me Kolumbinë dhe në zonat bregdetare, ndërkohë që u ka bërë thirrje qytetarëve të angazhohen me forcat paraushtarake.
“Në orët e para të mëngjesit, me urdhrin tim, forcat e armatosura të SHBA-ve ndërmorën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj një grupi narkoterroristësh të Tren de Aragua, të vendosur brenda zonës së operacioneve të SOUTHCOM. Ky grup është një organizatë terroriste e huaj që operon nën drejtimin e Nicolás Maduro dhe është përgjegjës për krime të rënda, përfshirë vrasje në masë, trafik droge, shfrytëzim seksual dhe dhunë në SHBA dhe në gjithë rajonin perëndimor,” deklaroi Trump.