Daku s’është më objektiv i Fiorentinës, Broja merr lëvdatat e para si lojtar i Bërnlit

0
32

Për disa lojtarë të përfaqësueses merkato mund të cilësohet e mbyllur, siç ndodhi me Mirlind Dakun, por s’mund të quhet e tillë për sulmuesin Arbnor Muja që mund të kthehet në kampionatin elitar të Belgjikës. Kështu, sipas informacioneve të mediave sportive, Fiorentina më nuk është e interesuar për transferimin e sulmuesit Mirlind Daku. Kështu të paktën ka shkruar të mërkurën mediumi rus “Euro-Football”. Fiorentina kishte shprehur interesim për sulmuesin e Rubin Kazanit dhe kishte raportime për një transferim prej 20 milionë eurosh. Por ndërkohë interesimi i klubit italian është zbehur, ndërsa oferta të tjera konkrete për Dakun nuk ka. Trajneri i Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov, megjithatë e ka lënë të hapur mundësinë e largimit të kosovarit. Ai është pyetur nëse skuadra është gati të mbetet pa një sulmues si Daku. “Nuk jemi gati. Ne kemi vetëm dy sulmues. Kjo nuk do të duhej të ndodhte në një klub me synime. Por nëse ka një ofertë specifike, nuk do të jemi në gjendje të bëjmë asgjë”, ka thënë Rakhimov.

Lëvdime për Brojën

Armando Broja ka debutuar në mënyrën më të mirë të mundshme me Bërnlin, duke asistuar pas 5 minutash lojë në ndeshjen e Kupës së Ligës kundër Derby County. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare u zgjodh titullar në këtë duel, pasi në dy takimet e para në kampionat, ai nuk ishte as në stol. 23-vjeçari kuqezi mori një top në zonë, lëvizi bukur dhe asistoi për shokun e tij të skuadrës, Aaron Ramsi, i cili e çoi topin në rrjetë me anë të një goditje të saktë. Broja u transferua këtë verë nga Çelsi për vlerën e 23 milionë eurove dhe ka lënë menjëherë impakt në skuadrën e re. Duhet thënë se Broja ka potencialin e madh teknike taktik, por atij ende i mungojnë golat gjë që ka ndodhur pas dëmtimeve të shumta që e kanë shoqëruar karrierën e tij gjatë viteve të fundit. Broja e nisi me një asist tek Bërnli dhe të gjithë shpresojnë që të gjejë rrugën e rrjetës në shtator në radhët e përfaqësueses. Më herët ai ka mundur të marrë minuta por nuk mundi të realizojë gol as në Europian e as në eliminatoret e tanishme për kualifikueset e Kupës së Botës. Ndoshta ndeshjet me Gjibraltarin dhe Letoninë mund të jenë shansi i madh për Brojën.

Arbnor Mujën e kërkon Anderlehti i Hasit, pritet largimi nga Turqia

Një tjetër futbollist kuqezi është gati të ndryshojë ambient brenda kësaj merkato vere. Arbnor Muja pritet të largohet nga Samsunspor pas një sezoni të vështirë në Superligën turke, ku nuk arriti të konsolidohej si titullar. Sipas “Nieuësblad Sport”, dy skuadra nga Belgjika janë vënë në garë për shërbimet e mesfushorit shqiptarit: Saint-Truidense VV (STVV) dhe gjiganti belg Anderleht, që drejtohet nga Besnik Hasi, me këtë të fundit që shihet si favorit absolut për të nënshkruar me Mujën. Një rikthim në futbollin belg, ku Muja kishte lënë përshtypje pozitive me Antverpin, mund të jetë vendimtar për ringritjen e tij edhe për një rikthim të mundshëm në listën e kuqezinjve të Shqipërisë. Kontrata e tij me klubin turk është deri në qershor 2027 dhe vlera e tij në treg vlerësohet nga Transfermarkt në 3.4 milionë euro.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here