Zhbllokohet ngërçi politik pas 7 muajsh, Dimal Basha zgjidhet kryetar i Kuvendit

0
34

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës të martën.

Zgjedhja e Bashës kryeparlamentar i hap rrugën konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Basha i mori 73 vota për, 30 kundër dhe tri abstenime.

Ai arriti t’i marrë votat e nevojshme falë votës së një pjesë të deputetëve të PDK-së, AAK-së, dhë një pjese të pakicave.

LDK dhe Lista Serbe votuan kundër.

Përgjatë 57 seancave të zhvilluara nga Kuvendi i Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, asnjëri prej kandidatëve të mëparshëm Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Donika Gërvalla nuk ia dolën të marrin më shumë se 57 vota.

Kush është Dimal Basha?
Sipas biografisë së publikuar në uebfaqen e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.

Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.” Dimali gjithashtu ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në Universitetin “The New School University,” po ashtu në New York.

Në politikë, Dimal Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate dhe tashmë është zgjedhur për herë të tretë.

Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here