Kampionati i ri do të luajë ndeshjet e xhiros së parë për sezonin e ri këtë fundjavë, ku duelet nisin të premten e mbyllen të dielën. Duhet thënë se gara pritet me mjaft interes, pasi klubet kanë bërë goditje në treg dhe duan të provojnë prurjet e reja, ndërkohë që këtë vit pritet të futet në zonën e pretendentëve për titull edhe Dinamo e trajnerit Ilir Daja, e cila po bën punë të mirë në Ligën e Konferencës.
Në tërësi, pritet që skuadrat që ishin pretendente sezonin e kaluar të jenë edhe këtë edicion, me një fokusim tek Tirana, e cila ende nuk dihet çfarë ka gatuar gjatë merkatos së verës dhe cila është gjendja e grupit. Tirana do të përplaset në javën e parë në transfertë kund Bylisit, në Ballsh. Bylisi ka një duel delikat në shtëpi, ndaj edhe trajneri Mirel Josa, së bashku me stafin e tij, po bëjnë maksimumin, së pari për harmonizimin e grupit dhe së dyti për të krijuar një ide mbi lojtarët që do të jenë të gatshëm përpara duelit me bardheblutë.
Afrimet e realizuara janë përshtatur mirë me pjesën tjetër të skuadrës, dhe kjo u vu re në testet e fundit, ndërsa titullarët e Bylisit janë ata që japin garanci. Një tjetër skuadër që pritet të testohet për atë që ka gatuar në këtë merkato është Elbasani, skuadër që edicionin e kaluar bëri një garë të mirë, por pa mundur të futet në top-4 që të çon në Final Four. Njëjtë si Elbasani, pritet me interes edhe Vllaznia, e cila zhgënjeu në UEFA Conference League, ku u eliminua në turin e dytë paraeliminator. Edhe shkodranët kanë pretendime titulli, por askush nuk e di forcën e grupit pas lëvizjeve që kanë ndodhur gjatë verës.
Ndeshja Vllaznia-Egnatia çel sezonin e ri
Sikurse e jep edhe njoftimi i Federatës Shqiptare të Futbollit, të premten nis edicioni i 87-të i kampionatit më të rëndësishëm të futbollit shqiptar, “Abissnet Superiore”. Sezoni i ri hapet me përballjen mes dy skuadrave finaliste të “Final Four”-it të vitit të kaluar, duke sjellë menjëherë emocion dhe rivalitet. Ky sezon shënon rikthimin e Flamurtarit pas 5 vitesh mungesë. Vlonjatët janë përgatitur me afrime të rëndësishme në merkato dhe investime në stadium, për të qenë gati për një rikthim të fortë në elitë.
Një tjetër risi është debutimi historik i Vorës në Superiore. Pas një sezoni mbresëlënës në Kategorinë e Parë, ku dominoi kampionatin, skuadra kryeqytetase do të provojë veten përballë më të mirëve. Kampionati i ri pritet të sjellë edhe një garë të fortë për titullin. Kampionët në fuqi të Egnatias, ashtu si edhe rivalët e tjerë, janë përforcuar në merkato për të qenë gati për të arritur objektivat sezonalë. Ndërkohë, Dinamo Siti vijon rrugëtimin europian dhe është shumë pranë një momenti historik për klubin dhe për futbollin shqiptar.
Rivalitet i madh, emocione të forta dhe duele të zjarrta do të shoqërojnë çdo javë të edicionit të ri të “Abissnet Superiore”. Një kampionat që premton të jetë i fortë por për këtë duhen parë ndeshjet në fushën e lojës. Për momentin, skuadra që bind më shumë është Dinamo, pasi po i jep provat në Europë, në fazën “play-off” të Ligës së Konferencës.
Java 1
Të premten
Vllaznia-Egnatia 20:00
Të shtunën
Bylis-Tirana 17:00
Elbasani-Flamurtari 20:00
Të dielën
Partizani-Vora 20:00
Teuta-Dinamo 20:00