Asllani e Interi s’po gjejnë gjuhën e përbashkët, Hasa jashtë planeve të Kontes

0
43

Lojtarët e Kombëtares tonë që luajnë në Itali kanë një emër të mirë dhe përbëjnë kontigjentin kryesor të grupit të përfaqësueses që luajnë si titullarë në ndeshjet zyrtare. Trajneri kuqezi, Silvinjo, e ka bazuar punën e tij më së shumti tek ky kontigjent, pasi i përshtatet edhe filozofisë së tij të lojës. Gjimshiti, Ismajli, Hysaj, Ramadani, Asllani e ndonjë tjetër janë pjesëtarët e formacionit që luajnë në Serie A dhe Silvinjo s’bën dot pa këtë kontigjent. Ndërkohë, vijojnë lëvizjet në treg edhe për lojtarët e Shqipërisë. Më i klikuari në javët e fundit është Kristjan Asllani, që Interi dëshiron ta shesë, madje ka arritur marrëveshje me Bolonjën, por futbollisti nuk pranon, duke dashur të qëndrojë zikaltër. Ndërkohë, Luis Hasa, talenti që ka zgjedhur të përfaqësojë Italinë në garat ndërkombëtare, prej një viti pjesë e Napolit, nuk është në planet e trajnerit Antonio Konte dhe klubi dëshiron ta çojë ose në huazim ose ta shesë në radhët e një klubi në Serie A ose në Serie B. Negociatat vazhdojnë për të dy lojtarët, ndërkohë që të tjerë po shohin mundësi të reja, sikurse ndodhi edhe me Marash Kumbullën, që la Romën dhe u kthye në Spanjë, por këtë herë jo tek Espanjoli, por në radhët e Majorkës, atje ku luan edhe shqiptari tjetër, Vedat Muriqi.

Bolonja pranon kushtet e Interit, por Asllani refuzon t’i braktisë zikaltrit

Kristjan Asllani është pranë kalimit te Bolonja. Klubi i Seria A ka akord me Interin për të blerë 9 milionë euro mesfushorin, ndërsa zikaltrit ruajnë edhe 40% të kartonit në rast rishitje. Bolonja po mundohet t’i mbushë mendjen Asllanit tashmë. Kjo sepse paga 1.5 milionë euro që është ofruar, u refuzua nga Asllani siç raportohet te “Gazzetta dello Sport”. Asllani synon që paga të nisë nga 2 milionë euro në sezon, shumë kjo që përfiton si lojtar i Interit. Dhe pse Bolonja ofron rritje page pas sezonit të parë, sërish palët nuk kanë rënë dakord për termat financiarë. Gjithçka pritet të marrë drejtim pikërisht sot. Asllani megjithatë qëndron drejt firmës, ndërsa do firmosë kontratë të vlefshme deri në vitin 2029.

Hasa nuk është në planet e Kontes, pritet huazimi në Serie B

Antonio Konte nuk ka në planet e tij për këtë sezon anësorin e sulmit shqiptar, Luis Hasën. Futbollisti iu bashkua napolitanëve nga radhët e Leçes, por ndonëse festoi titullin kampion me Napolin, nuk e pa fushën e lojës me ekipin në Serinë A. Situata do të përsëritet edhe në këtë sezon, pasi raportohet se Konte nuk e sheh atë në lartësinë e duhur për të dhënë në këtë pikë të karrierës një kontribut për ekipin. Ndaj ai i ka bërë të qartë lojtarit të gjejë një sistemim. Napoli kërkon ta huazojë në Serinë A, por menaxheri i tij, Fali Ramadani, u ka mbushur mendjen që të lejojnë huazimin në Serinë B. Hasa do të ishte titullar fiks dhe do të kishte minutat e duhura për të qenë protagonist. Që tani janë dy skuadra të gatshme për të siguruar huazimin e tij. Bari dhe Sampdoria, të dy klube me emër, të cilat do të dëshironin të shfrytëzonin aftësitë ofensive të Hases për lojën e tyre. Sipas mediave italiane, lojtari do të zgjedhë mes një prej këtyre dy destinacioneve në ditët në vijim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here