Garancia 15 mijë dollarëshe! Shqipëria nuk preket nga projekti i DASH për vizat amerikane

0
14

Shqipëria nuk përfshihet në listën e vendeve, për shtetasit e të cilëve do të kërkohet garanci deri në 15 mijë dollarë për marrjen e një vize për në Shtetet e Bashkuara. Të paktën për momentin. Në një deklaratë për shtyp të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit thuhet se projekti pilot 12-mujor, që nis të zbatohet më 20 gusht, do të aplikohet fillimisht për shtetasit nga Malaui dhe Zambia, dy vende të Afrikës Jugore dhe Juglindore.

Burime nga Ministria e Jashtme thanë se deri tani nuk ka njoftim për këtë program pilot, por me hyrjen në fuqi të programit, do të njoftohen vendet që mund t’i shtohen listës. Subjekt i kësaj mase janë aplikantët për viza turistike dhe biznesi. Projekti parashikon 3 nivele garancish: 5 mijë, 10 mijë dhe 15 mijë dollarë, dhe do të jenë punonjësit e ambasadave që do të përcaktojnë se cilën shumë duhet të vendosin si garanci aplikantët, duke u bazuar në kriteret e rrezikshmërisë së shkeljes së vizave, një prej të cilëve është historiku i udhëtimeve.

Sipas një raporti për vitin 2023 të Departamentit për Sigurinë e Brendshme, 42% e rreth 11 milionë të huajve që jetojnë në SHBA kanë hyrë me vizë të rregullt me afat dhe nuk u larguan më. Përqindjen më të lartë të shtetasve që shkelën afatin e vizave gjatë 2023-shit e ka Çadi me 50%, Laosi me 35% dhe Haiti me 31%. Shifra e shtetasve shqiptarë që shkelën afatin gjatë 2023-shit është rreth 2.3%. Malaui dhe Zambia, ku aplikohet fillimisht projekti pilot, kanë nivele po ashtu të ulëta: 10% – 14%. Ndërsa vendet me numrin më të madh të shtetasve që shkelin afatin e vizave janë Meksika, Kolumbia, Haiti, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here