Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka dështuar të dalë me një qëndrim të përbashkët për të referuar në prokurori numëruesit e qarkut Fier, për të cilët, gjatë rinumërimit të votave, u ngritën dyshime serioze për favorizim me vota të socialistit Ceno Klosi dhe demokrates Silva Hasaj.
Këta kandidatë kishin marrë vota shtesë në bllok, brenda një kutie votimi, që në disa raste shkonte edhe në 85 vota me një dorë.
Report TV mësoi se pati komunikime brenda anëtarëve të KAS, që kërkesa të mos përcillej vetëm me firmën e një anëtari, konkretisht të Ledio Brahos, pasi do të jepej mesazhi i gabuar se disa prej tyre po bëheshin “mburojë” për numëruesit.
Në përfundim të komunikimeve, edhe Ledio Braho ka bërë një hap pas.
Të gjithë anëtarët e KAS i kanë dërguar një shkresë Celibashit, ku i kërkojnë të gjejë emrat e numëruesve në të 4 qarqet ku kutitë u hapën për së dyti, Tiranë, Fier, Durrës dhe Elbasan dhe ti hetojë ata.
“Rinumërimi i votave provoi në disa raste mospërputhje të theksuara voatash, të cilat duhet të hetohen në një proces të mëtejshëm administrativ nga ana juaj për të identifikuar anëtarët pjesë e Grupeve të Numërimit të Votave. Mospërputhjet janë të tilla që tregojnë se nga anëtarët e GNV-ve për raste të posaçme ka tjetërsim të rezultatit të votave”-shkruhet në dokumentin e firmosur nga anëtarët e KAS.
Më tej, Komisioni ja lë në dorë Celibashit të ndajë nëse kemi të bëjmë me krime zgjedhore, apo gabime njerëzore.
“Ky hetim administrativ ka rëndësi për të identifikuar dhe për të dalluar rastet kur formojnë kundërvajtje administrative, rastet që ngrënë dyshim të arsyeshëm për kryerjen e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, nga rastet që nuk formojnë shkak për procedim,”-thonë anëtarët e KAS.
Ledio Braho ishte zotuar publikisht që të dërgonte të gjithë procesverbalet në prokurorinë e zonës, madje stafi i KQZ-së kishte skanuar 587 procesverbalet e hapjes së kutive, për t’i përcjellë tek hetuesit në rrugë elektronike.
“Në çdo rast unë do ja çoj prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm në Fier vendimin me tabelën e ndryshuar, bashkë me procesverbalet ku pasqyrohen diferencat dhe besoj se kjo është indicie e mjaftueshme që Prokuroria e Fierit të nis hetimin për trafikimin e votave”,-tha Ledio Braho më 2 korrik kur u mbyll rinumërimi i Fierit.
I pyetur pse doli nga ky zotim, Braho tha se po i jep një mundësi hetimit administrativ, e nëse në fund Celibashi nuk do të dërgojë njeri në prokurori, prapë ai do ta bëjë.