Ilirjan Mandro vijon të qëndrojë në krye të Akademisë së Sigurisë, pavarësisht gjetjeve të rënda të Kontrollit të Lartë të Shtetit. KLSH realizoi një auditim të thelluar për periudhën e veprimtarisë nga data 01.01.2022 deri me datën 31.12.2023 dhe zbuloi shkelje të rënda financiare dhe administrative. Në raportin që disponon gazeta, KLSH kërkoi urgjentisht nga Ministri i Brendshëm shkarkimin e menjëhershëm të rektorit të Akademisë, z. Mandro. “Ministri i Brendshëm të marrë masa të menjëhershme, që në referencë të Statutit të Akademisë miratuar me Urdhër të përbashkët nr. 130, datë 10.03.2023 të Ministrit të Arsimit dhe Sportit si dhe Ministrit të Brendshëm, nenit 11 pika 6, të propozojë shkarkimin nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë të Rektorit të Akademisë së Sigurisë z.Ilirjan Mandro, si rezultat i parregullsive të konstatuara, mbi përdorimin e fondeve publike, pa ekonomicitet, efektivitet dhe efiçencë, si dhe mospërmbushjen e qëllimeve dhe të objektivave të Akademisë së Sigurisë, bazuar në nenin 8 pika 1 të ligjit nr. 10 296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, evidenton KLSH.
Ministri i Brendshëm e zbatoi me përpikmëri detyrën dhe mungonte firma e Ministrisë së Arsimit me në krye Ogerta Manastirliun që në fund bllokoi shkarkimin pa asnjë argument zyrtar, pa asnjë komunikim publik. Në vend që të vepronte sipas rekomandimeve të auditit dhe vendimit të Ministrisë së Brendshme, Manastirliu heshti. Nga informacioni i gazetës, Ilirjan Mandro, duke përdorur lidhje të forta me Sekretarin e Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit, Erzen Tola, ka arritur të legalizojë të gjitha shkeljet e ligjit për arsimin e lartë, pa i hyrë një gjemb në këmbë. Nëse lexohet raporti i KLSH, kuptohet lehtësisht favorizimi që i është bërë Mandros nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Detajet nga raporti
Ja çfarë shkruhet në pikën 20 të këtij raporti: “Gjatë auditimit të veprimtarisë së institucionit për periudhën 2022-2023, rezultoi mbivendosje e kompetencave midis Rektorit dhe Administratorit, pasi nga Rektori janë ushtruar funksione që lidhen me menaxhimin financiar dhe kontrollin. Konkretisht: Rektori i AS-së ka nxjerrë urdhrat e prokurimit, ka nënshkruar urdhër-shpenzimet si dhe urdhër-shërbimet në këtë institucion. Veprimet e mësipërme bien në kundërshtim me: Ligjin nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë në RSH”, neni 39, pika 1 dhe neni 51, pika 1. Ligjin nr. 10296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” (i ndryshuar). Ligjin nr. 162, datë 23.12.2020 “Për prokurimin publik”, neni 21, pika 5. Statutin e Akademisë, miratuar me urdhër të përbashkët nr. 130, datë 10.03.2023, të Ministrit të Arsimit dhe Sportit si dhe të Ministrit të Brendshëm, neni 12. Rregulloren e Akademisë së Sigurisë, miratuar me vendim të Senatit Akademik nr. 77, datë 02.05.2023.
Pra, Rektori ka shkelur 5 akte ligjore dhe nënligjore për një vit të tërë, pa iu dridhur qerpiku, duke firmosur tenderat dhe aktet e tjera financiare. Për ta bërë më të thjeshtë për lexuesin, në ligjin për arsimin e lartë përcaktohet se “Rektori është autoriteti më i lartë akademik i institucionit të arsimit të lartë, si dhe përfaqësuesi ligjor për çështjet akademike dhe protokollare”. Me pak fjalë, ai është përgjegjës për pritje, përcjellje të delegacioneve, autoriteteve të larta shtetërore, ceremonitë zyrtare, etj. Pra, ky përcaktim e ka bërë të qartë që veprimet e tij me tenderat apo veprimtaritë e çdo lloji financiar janë kryer krejtësisht në shkelje të disa ligjeve. Kjo përbën një rast unik, ku një zyrtar shkel kaq shumë ligje me ndërgjegje të plotë dhe nuk merret i pandehur nga Prokuroria për shpërdorim detyre.
Pushtuesit e drejtësisë!
Po pse mbajtja e Mandros në krye të Akademisë së Sigurisë nuk është rastësi? Dyshohet se i gjithë ky skenar mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje të heshtur. Një pazari politik me mbulesë institucionale. Një rektor që qëndron për të garantuar një votë në dhjetor. Dhe një qeveri që e lejon këtë, sepse pazari është në favor të saj. E themi këtë pasi Mandro ka depërtuar thellë në sistemin e drejtësisë. Ai jep mësim si pedagog i jashtëm në Shkollën e Magjistraturës ku edhe Bashkëshortja e tij eshte pedagoge e brendeshme. Nderkohe Arta Mandro është edhe në KLP. Gjithashtu dhe djali po ndjek të njëjtën shkollë. Një familje e tërë e instaluar në institucionet kyçe të drejtësisë. Besohet se mbajtja e Mandros në krye të Akademisë së Sigurisë lidhet me zgjedhjen e kreut të ri të SPAK pasi Altin Dumanit i mbaron mandati në dhjetor.
Kujtojmë se në vitin 2022, pati ndërhyrje të forta nga qeveria për të zgjedhur të preferuarin e tyre. Kryeministri Edi Rama donte që në krye të vendosej prokurori Kondilli. SHBA kishte dërguar sinjale të qarta. Procesi duhej të ishte i pastër, pa ndërhyrje, pa pazare. Ambasadorja e atëhershme Yuri Kim e artikuloi këtë publikisht. Votimi i KLP ishte i ndarë: për Dumani-n votuan Arta Mandro, Zeqir Hoda, Elojda Goxhi, Bujar Sheshi, Ledina Riza. Ndërsa për Kondilin, i përfoluri si njeriu i Ramës votuan Alfred Balla, Tartar Bazaj, Nurihan Seiti dhe Mirela Bogdani. Fitorja e Dumani-t u interpretua si fitore e SHBA dhe si humbje e tentativave për kapje të SPAK-ut dhe rezultatet tregojnë se ashtu ndodhi. Por tani, me mandatin që mbaron në dhjetor, pazari është hapur sërish. Dhe Ilir Mandro dyshohet se është pjesë e këtyre marrëveshjeve të pista . Qëndrimi i tij në detyrë është çmimi për një votë klienteliste nga Arta Mandro.