Elmas Bogdani
Një dëshmi e dhënë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) nga Eriol Brahimllari që rezulton të jetë njohje familjare e Monika Kryemadhit dhe kushëri i Endrit Brahimllarit ka rrëzuar deklarimet e Ilir Metës, ku ky i fundit ka treguar se nuk ka pasur lidhje të afërt me biznesmenin Adrian Shatkun. Sipas Eriol Braimllarit, i cili është marrë në pyetje nga SPAK, Adriani kishte një marrëdhënie të konsoliduar me drejtuesit e LSI-së para se ai të angazhohej në LSI. Adrian Shatku, në dijeninë time, thotë Eriol Brahimllari ishte një biznesmen shqiptaro-amerikan që kishte një biznes të suksesshëm në Amerikë, dhe që ndihmonte LSI-në me eksperiencën dhe ekspertizën e vet.
Nga një dokumentet zyrtare që “Ora News” disponon Eriol Brahimllari, pyetjes sa herë ishin takuar me Adrian Shatkun dhe kush ka qenë tjetër i pranishëm gjatë udhëtimeve në Amerikë, me kryetarin e Kuvendit, Ilir Metaj, i është përgjigjur “unë kam qenë i pranishëm në të paktën më shumë se një takim me Adrian Shatkun. Prania ime në takimet që Kryetari i Kuvendit, Ilir Metaj ka zhvilluar me Adrian Shatkun dhe persona të tjerë, ka qenë sipas kërkesës së Kryetarit të Kuvendit. Po nga dosja rezulton se biznesmeni ka paguar një shumë prej 1.183.104 lekë në Hotel Rogner për shpenzime të akomodimit të John Moreira dhe përfaqësuesve/punonjësve të tjerë të JPM Strategic Solutions, ndërkohë që është vërtetuar që ata kanë ardhur në Republikën e Shqipërisë, për të ofruar shërbime konsulence ku përfitues është Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Ilir Metaj.
Thirrja e Metës nga burgu
Në parashtrimet e Ilir Metës disa ditë më parë para gjykatës në seancën gjyqësore për revokimin ose zëvendësimin e masës së sigurimit personal, thuhet se: Në përgjigje të pyetjeve të bëra më parë nga akuza, unë i kam bërë të qarta rrethanat e njohjes me Adrian Shatkun, ndaj kjo lojë fjalësh e prokurorëve është pa kuptim. Nëse unë nuk kam patur asnjë lidhje të dyshimtë, të paligjshme, ky nuk është faji im, por merita e sjelljeve të mia përherë të përgjegjshme, të ligjshme dhe të moralshme. Po kështu, shtetasin Eriol Braimllari mund ta pyesni nëse është takuar të paktën njëherë apo të paktën 100 herë me shtetasin Adrian Shatku në Tiranë apo edhe në Uashington edhe pa Kryetarin e Parlamentit. Për këtë mund t’ju ndihmojë edhe sistemi TIMS.” Meta gjithashtu ka akuzuar publikisht Ilir Meta, në një postim në rrjetet sociale, akuzon gjithashtu Endrit Braimllarin se te këto kontrata është ai i përfshirë si ish-Sekretar i Përgjithshëm dhe vetë ka qenë president dhe nuk ka fare lidhje.
Madje Meta videon e shoqëroi edhe me një pjesë nga dosja në të cilën thuhet: “U pyet shtetasi Endrit Braimllari, i cili për periudhën 2018-2019 ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së. Ky shtetas u pyet për dijenitë që ai kishte lidhur me pagesën në vlerën 20 mijë USD që ai, në emër të partisë LSI, kishte autorizuar për t’iu paguar kompanisë JMP Strategic Solution LLC. Deklaruesi Endrit sqaroi se ai nuk e mbante mend arsyen e transferimit të kësaj shume në drejtim të kompanisë JMP Strategic Solution LLC, por këto shpenzime janë deklaruar pranë KQZ-së në tabelat e shpenzimeve financiare dhe, në dijeni të tij, ishin audituar nga KQZ-ja. Gjithashtu ai nuk kishte dijeni nëse midis partisë LSI dhe kompanisë JMP Strategic Solution LLC ishte lidhur një kontratë dhe se ai nuk kishte dijeni se cili ishte personi i ngarkuar me ndjekjen e ecurisë së kontratave që LSI-ja kishte lidhur me kompanitë e huaja”. Sqarim:Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë. (Sotnews)